7.5 C
Tirana

Asambleja blic, zgjidhet presidenti i ri i peshëngritjes

VENDI

Skandali i dopingut në peshëngritje bëri që Elez Gjoza të jepte dorëheqjen si president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, ndaj edhe ishte e nevojshme të zgjidhej pasuesi i tij.
Ditën e sotme u mbajtën zgjedhjet dhe kandidatë ishin Ilir Topuzi dhe Theodhor Masllavica, me këtë të fundit që në fund triumfoi me rezultat të pastër, duke marrë mbështetjen e anëtarëve të Federatës në
Asamblenë e Jashtëzakonshme që u mbajt.
Në votime morën pjesë 21 klube dhe vetëm dy prej tyre votuan për Topuzin (ish-peshëngritës i Elbasanit), kurse të tjerët ia besuan kreun e FSHF Masllavicës. Zgjedhjet e zhvilluara u ndoqën edhe nga presidenti i KOKSH-it, Viron
Bezhani, si dhe nga përfaqësues të Federatës Europiane. Tashmë presidentin e ri të Federatës e presin detyra të vështira, pasi peshëngritja ka pasur goxha probleme së fundmi, duke nisur nga dopingu e deri te kushtet ku stërviten ushtruesit e këtij sporti.
Masllavica është një biznesmen që i ka qëndruar afër peshëngritjes, duke mbështetur shpesh talentet e rinj, ndërkohë që tani ka në dorë ta zhvillojë edhe më shumë këtë sport.
Drejtimin e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes ai pritet ta bazojë mbi themele të forta. Kontrollet anti-doping para çdo aktiviteti ndërkombëtar do të kthehen në rutinë,
ndërkohë që veç infrastrukturës, mjekët e fizioterapistët nuk do t’i mungojnë më kombëtares.
Rëndësi të madhe është programuar t’i jepet ndërtimit të ekipeve të moshave, ndërkohë që edhe shpenzimet e panevojshme pritet të ulen.
Në plan është edhe mbështetja e atyre elementëve të talentuar, në mënyrë që të kenë motivin e duhur për t’u zhvilluar më shumë si sportistë. /EDS/

- Advertisement -

TE FUNDIT