13.5 C
Tirana

16 vite nga 9 Janari i 2004 ku humbën jetën 28 persona, familjarët kërkojnë ende drejtësi

VENDI

Këtë të enjte është kujtuar tragjedia e 9 janarit të vitit 2004, ku humbën jetën 28 persona dhe familjarët e viktimave kërkojnë ende drejtësi.

16 vjet më parë një gomone e nisur me 36 persona në mënyrë të fshehtë nga brigjet e Palasës në jug të Shqipërisë, drejt Italisë do t’u kushtonte jetën në mënyrë tragjike 20 shqiptarëve, ndërsa 8 të tjerë do të zhdukeshin në det të hapur pa lënë gjurmë.

16 vite pas tragjedisë së 9 Janarit, familjarët e viktimave që humbën jetën kërkojnë ende drejtësi. Të zhgënjyer nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, familjarët kanë besim në krijimin e SPAK ku i bëjnë thirrje që të marrë në dorë cështjen e tragjedisë së 9 Janarit.

Kryetar i Shoqatës 9 Janari, Nikollë Mhillaj në fjalën e tij është shprehur se familjarët kanë emra konkret, duke deklaruar se do të bëjnë një akt padi, ndaj atyre që sipas tyre kanë organizuar trafikimin e femijëve të tyre duke përmendur edhe ish Drejtorin e Policisë Bajrim Ibraj, por edhe ish Ministrat Igli Toska dhe Pandeli Majko.

Ndërkohë për Ndoc Bjeshkën, i cili ka humbur djalin e tij të vetëm në këtë tragjedi, thekson se kjo ngjarje duhet të zbardhet dhe se do të kërkojnë zbardhjen e plotë të saj deri ne frymën e fundit pasi shteti italian ka deklaruar se janë gjetur trupa të pajetë të cilët jane fshehur nga vetë shteti shqiptar dhe për këtë ai ka sërish një apel për Prokuroriët e Spak.

Tragjedia e 9 Janarit ndodhi në afërsi të Vlorës në vitin 2004, kur gomonia me 36 klandestinë u nis në det të trazuar 5-6 ballë në drejtim të Italisë nga gjiri i Palasës. Si pasojë e mbytjes së gomones 28 persona humbën jetën ku viktimat ishin kryesisht nga zona e Shkodrës dhe të moshës nga 15 në 33 vjeç.

- Advertisement -

TE FUNDIT