12.5 C
Tirana

Zëri i Amerikës: Ja çfarë pritet të ndodhë javën e ardhshme në Shqipëri

VENDI

Në Shqipëri numri i rasteve të reja pozitiv ndaj Covid 19 ra sot në nivelin më të ulët të 8 javëve të fundit me vetëm 4 të prekur. Sipas zonjës Eugena Tomini e Institutit të Shëndetit Publik, rastet e reja janë rregjistruar në Tiranë, Kamëz dhe Shkodër. Ndërsa numri i përgjithshëm i personave të infektuar është 872, janë aktualisht vetëm 187 persona ende aktiv me Covid 19, pjesa dërrmuese në Tiranë dhe Krujë.

 

Në rënie edhe numri i të shtruarve në spital. Deri sot në mesditë numëroheshin 28 pacientë, nga të cilët vetëm 3 në terapi intensive. Pjesa tjetër e të prekurve ndiqet nga mjeku i familjes në banesat e tyre.

 

Duke nisur nga dita e sotme kanë hyrë në fuqi masa të tjera lehtësuese. Kanë rinisur ativitetin qendrat tregtare, klinikat dentare dhe parukeritë. 14 bashki të tjera i janë bashkuar zonave të gjelbërta, ndërsa vetëm 6 konsiderohen ende si zona të kuqe.

 

Ndërkohë duke filluar nga java e ardhshme, pritet të rifillojnë gradualisht operacionet e planifikuara, në spitalet rajonale dhe universitare. Gjatë një inspektimi në spitalin e ri të Kirurgjisë në QSUT, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se pas vlerësimit të situatës nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, është vendosur rihapja graduale e sistemit shëndetësor.

 

Ministrja e Shëndetësisë tha gjithashtu se po vlerësohet rikthimi në normalitet edhe i spitalit COVID2: “Jemi duke vlerësuar me komitetin Teknik të Ekspertëve edhe rikthimin në normalitet të spitalit universitar ‘Shefqet Ndroqi’, i cili i është dedikuar COVID2 dhe brenda kësaj jave do të kemi një vendim për të vlerësuar rikthimin në normalitet të këtij spitalit për të ofruar shërbimet e tij”, tha Manastirliu. /VOA

- Advertisement -

TE FUNDIT