16.5 C
Tirana

VIDEO/ Vrasja, flet djali: Marjana mendonte se mami ishte magjistare

VENDI

Nusja i vrau nënën dhe fshehu krimin. Një vit pas ngjarjes së rëndë, krimi është zbardhur dhe autorja e dyshuar Marjana Cmeta është vënë në pranga bashkë me ish-vjehrrin, një kushëririn e tij dhe hoxhën e fshatit. Këta të fundit nën akuzë për moskallëzim krimi.
Marjana Cmeta ishte nuse për djalë të vetëm dhe me këtë argument e fejuan që 18 vjeçe me mblesëri. Pas një viti Marjana edhe studente për mësuesi, u kthye tek prindërit, ditën e pestë kur në shtëpinë e të shoqit vajtohej vjehrra, Lirije Lami.
Në fakt, ky kthim ishte ndarja përfundimtare, pas dyshimeve të familjarëve të Liries se ajo nuk ishte vetëvrarë. Me Marjanën në burg, e cila i ka lënë të bijën gjashtëmuajshe, i ati s’ka më fjalë.
“Jam mërzitur shumë për vdekjen e saj. Por, unë nuk e dija që kishin këto probleme kështu. Vajza e mori një goditje, nuk ka qenë mirë pas asaj kohe”, thotë Haki Cmeta për mikrofonin e Top Channel.
Pas vdekjes së Liries, që rezultoi në fakt se ishte helmuar me fotoksinë në lëng portokalli nga nusja, të dyja familjet, njëra nga Zall-Mneri dhe tjetra nga Priska e ndërprenë miqësinë.
Oltiani, ish-bashkëshorti dhe djali i të ndjerës nuk e ka takuar ende vajzën që lindi nga martesa. Pasi varrosi të ëmën u vu në kërkim të së vërtetës.
“Në fillim është sjellë shumë mirë. Dukeshin sikur duheshin shumë dhe dukej që e kishin sinqerisht. Më pas ndodhi Mariana nuk e donte më. Edhe kur iku mamaja në fshat uk e merrte më në telefon. I thoja unë që pse nuk e merr në telefon dhe nuk më kthente përgjigje. Kjo (Mariana) dyshonte se mos mami im i bën keq asaj. Ka pas thënë shumë herë që “magjistarja duhet dënuar”. Mendonte që mamaja ime ishte magjistare dhe e thoshte shpesh që “do ta vras magjistaren”, tregon Oltiani për TCH.
Pavarësisht se familja Lami e mësoi të vërtetën nga hoxha, pasi panë një video-rrëfim të regjistruar prej tij, me përjashtim të Oltit asnjëri nuk ju drejtua Prokurorisë.
“Më shumë ishte frika e këtij hoxhës që na pati thënë të mos tregojmë”, deklaroi Oltiani më tej.
Me familjen të shkatërruar dhe të atin në burg për moskallëzim krimi, Oltiani kujton se prindërit e tij u larguan nga Kamza në fshatin Zall-Mner pikërisht për të lënë në qetësi çiftin.
Ditën e ngjarjes, Lirija kishte ardhur të shiste qumësht dhe nuse e vjehrrë janë gjetur vetëm.
“Erdhi Mariana më thirri e më tha; o xhaxh hajde se i ka rënë të fikët mamit! Hyra në shtëpi me vrap tek dhoma e gjumit e Liries e kam gjetur në pozicion të ulur (në dysheme dhe mbështetur tek krevati i fjetjes). I thashë (Marianës) çfarë ka Liria? Më tha, që i ka rënë ajo (mbajtësja) e perdes”, tregon Vehbi Lami, kunati i të ndjerës.
Kjo çështje po hetohet nga Krimet e Rënda dhe përveç nuses vrasëse në burg janë edhe tre burra që nuk kanë kallëzuar krimin, hoxha dhe të afërmit e viktimës që panë videon, por heshtën nga turpi i të tjerëve.
PERSONAT E ARRESTUAR
1. Marjana Cmeta, 21 vjeç, banuese në Tirane, për të cilën Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg“ për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënies familjare“. (nusja)
2. Agim Lami, 50 vjeç, lindur e banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg“ për veprën penale “Moskallëzim krimi“. (vjehrri)
3. Hysen Shehu 45 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg“ për veprën penale “Moskallëzim krimi“. (hoxha)
4. Arben Saliu , 41 vjeç, banues në Tiranë , për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë personale “Arrest ne Burg“ për veprën penale “Moskallëzim krimi“. (kushëriri i familjes)
 

- Advertisement -

TE FUNDIT