6.5 C
Tirana

TURQIA PRESION SHQIPËRISË: LARGONI KREUN E KMSH, SKËNDER BRUÇAJ

VENDI

Kërkesat e Turqisë për të larguar mbështetësit e Fehtullah Gylenit janë intensifikuar edhe ndaj Shqipërisë. Ndonëse në Kosovë beteja është më e ashpër dhe
Erdogan ka nxehur tonet edhe publikisht, në Shqipëri trysnia e Turqisë po ndjehet mes dy qarqeve të kundërta dhe nën zë.
Po kush janë “gylenistët” shqiptarë?
Njeriu më i lartë i shënjestruar është kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj.
Nga Turqia, drejtuesi i myslimanëve të Shqipërisë konsiderohet pjesë e organizatës FETO, e cila për Erdoganin është organizatë terroriste.
Largimi i kreut të KMSH-së kërkohet më këmbëngulje, por shqetësim ngelet e gjithë situata në KMSH,
pasi edhe në kryesinë e Komunitetit, shumica e anëtarëve i përkasin grupimit gylenist.
Skënder Bruçaj shihet si shqetësim nga qeveria e Erdogan për shkak të ndikimit që ka mbi gjithë sistemin fetar në
Shqipëri, por jo vetëm kaq. Sipas të dhënave që Ankaraja i ka përcjellë Tiranës, Bruçaj ka vendosur të financojë me paratë e
Komunitetit Mysliman një prej shkollave të larta private në Tiranë, pjesë e rrjetit të Fetullah Gylen.
Pikërisht në këtë pikë shqetësimi turk bëhet më i lartë. Sipas të dhënave të siguruara, presioni tjetër veç kreut të KMSH-së, është në sistemin arsimor.
Bëhet fjalë për dy universitete private në pronësi të rrjetit gylenist që operojnë në Tiranë, të cilat për Erdoganin janë pjesë e rrjetit terrorist FETO dhe që qeverisë shqiptare i sinjalizohen si kërcënim për sigurinë.
Përveç tyre, konsiderohen si nën kontroll nga kundërshtari i Erdoganit edhe tre Medrese, ajo e Tiranës, e Korçës dhe e Kavajës që administrohen nga fondacione gyleniste dhe në to punojnë persona që i përkasin këtij rrjeti.
Por ndërkohë “presioni turk” ka shkaktuar disa lëvizje në disa subjekte të konsideruara si gyleniste. Një kolegj i njohur në Shqipëri, ku njerëzit më të pasur e të pushtetshëm të vendit tonë arsimonin fëmijët e tyre, ka kryer disa transaksione financiare.
Pronarët e parë të tyre, të cilët Erdogan i konsideronte pjesë e organizatës terroriste FETO, i kanë shitur aksionet e tyre duke i transferuar në një kompani holandeze. Një spital i rëndësishëm privat në Shqipëri dyshohet të ketë larguar 6 mjekë turq të cilët konsideroheshin si pjesë e rrjetit kundërshtar të Erdoganit.
Gjithashtu, ka ndalur funksionimin një gazetë online e këtij rrjeti, si dhe në pezullim e sipër aktiviteti është edhe një shtëpi botuese, pjesë e grupit gylenist.
Një rast i ekspozuar publikisht është ai i 13 tetorit 2017, ku në Ankara u arrestuar profesori shqiptar Mariglen Debrova, si pjesë e organizatës FETO. Për fatin e tij, nuk ka më informacion qysh nga dita e arrestimit.
Ndërkohë Turqia kërkoi ekstradimin si pjesë e këtij grupi të quajtur terrorist, profesorin turk që punonte në Shqipëri Muhammed Aydogmus, por Gjykata e
Durrësit kërkoi që procedura e ekstradimit të kryhej në gjendje të lirë. Ky vendim u quajt skandaloz nga ambasada turke në Tiranë, ndërsa më pas shtetasi Aydogmus u zhduk dhe asgjë nuk u mor vesh më për të.

- Advertisement -

TE FUNDIT