7.5 C
Tirana

Tërmeti lë jashtë nënën me 4 fëmijë, bashkia Tiranë i heq edhe bonusin e qirasë

VENDI

Tërmeti i pak ditëve më parë ka lënë pa strehë edhe 26 vjeçaren Bora Avdija dhe katër fëmijët e saj të mitur të cilët jetonin në një shtëpi me qira në kryeqytet

Frika se shtëpia mund t’i zinte brenda e ka bërë pronarin t’i kërkojë menjëherë të resë të largohet bashkë me fëmijët. Me katër të mitur dhe një urdhër mbrojtje në fuqi, ajo ka bërë apel për ndihmë përmes emisionit BOOM

Bora AvdiajU trondita shumë, e pati marrë mami një shtëpi me qira këtu të fusha e aviacionit, kur ra tërmeti u prish dhe tavani. Mori i zoti i shtëpisë dhe tha dil nga shtëpia direkt se nuk kam terezi me vdek me katër fëmijë, nuk dua të mbaj përgjegjësi tha. Tani unë kam ngel në rrugë të madhe me 4 fëmijë. Ditën e parë kam fjet jashtë aty ku janë dërrasat, kam fjet me katër fëmijët.

Është dhe një familje që më ka ndihmuar shumë më ka paguar taksinë më kanë çuar deri tek çadra. Shkova te unaza e re ku ishin çadrat. Ndenja nja dy netë te çadrat dhe na thanë do dilni se do i çojmë në Durrës dhe në ato momente kam marrë dy batanije, për të mbuluar kalamajtë. Tani i mora batanijet andej erdha këtej për tu mbuluar me kalamajtë. Ja dhe kalamajtë që po i merr edhe gjumi, shtrirë në trotuar. Më ndihmoni për këta 4 fëmijë,na gjeni një strehim.

Gazetarja: Po babai i fëmijëve ku është?

Bora AvdiajBabai i fëmijës se di as vetë ku është, nuk interesohet fare. Kam dhe urdhër mbrojtje, po ca më duhet kur i kam fëmijët jashtë, kur nuk kam një strehim me fut kokën me katër kalamaj.

Pak muaj më parë Bashkia e Tiranës, për shkak të mungesës së rinovimit të kontratës së shtëpisë i ka ndërprerë nënës me katër fëmijë edhe bonusin e qirasë.

Gazetarja: Ke marrë ndonjëherë bonus nga bashkia për strehimin?

Bora Avdiaj: E kam marrë, bonusin ma kanë heq se është djeg kontrata, ta kemi heq tha se duhet me shty kontratën e qirasë së shtëpisë. Ai zotëria është në Greqi nuk vjen për mua. Ju lutem ndihmoni këta kalamaj.

BOOM kontaktoi edhe me punonjëset e njësisë administrative 7.

Gazetarja: Mirëdita si jeni?

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: O zotëri nuk ke të drejtë të filmosh.

Gazetarja: Ne kemi hallin e këtyre katër fëmijëve.

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Një sekondë zonjë, nuk ka nevojë të vish me kamera sepse zonja është në ndihmë ekonomike, është trajtuar me paketa ushqimore, e njohim Borën.

Gazetarja: Po jemi në një situatë të jashtëzakonshme, si mund të më thuash nuk ka nevojë të vish. Fëmijët i kishe poshtë pallatit.

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Të lutem të vish sa herë të duash, nuk ka nevojë me kamera. Trajtohesh me ndihmë ekonomike këtu?

Denoncuesja: Po.

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Ke marrë paketa ushqimore gjashtë muaj rresht.

Denoncuesja: Po.

Gazetarja: Po ajo është jashtë, më fal, nuk po flasim për paketat ushqimore tani.

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Tani ti ke ardhur këtu dhe ke thënë unë jam jashtë?

Denoncuesja: Kam thënë jam jashtë, kam marrë këtë zonjën ja…

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Ça zonje, kë, ke ardhur në njësi? S`bën vaki ti që të rrish përjashta.

Denoncuesja: Ja, më kanë çuar këtë mesazh më kanë thënë, merr tek njësia. E kam marrë i kam thënë jam jashtë.

Gazetarja: Bora ka ngelur jashtë me katër fëmijët.

Punonjësja e Njësisë Administrative nr. 7: Të ka nxjerrë edhe pronarja përjashta?

Gazetarja: E ka nxjerrë edhe pronari, po.

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Ti më the jam te çadrat e bashkisë, unë i thashë hajde te njësia, do marrësh paketa ushqimore, do flasim këtu.

Denoncuesja: Po ku t`i lë kalamajtë?

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Me gjithë fëmijët thashë hajde.

Gazetarja: Po pse nuk shkoni ju atje zonjë, meqenëse është situatë me katër fëmijë? Pse nuk shkuat siç shkuam ne?

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Ku?

Gazetarja: Atje t`i gjenit siç shkuam ne.

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Kjo ishte në çadrën e Tiranës, tek publiku atje.

Gazetarja: Në cilën çadër? Çadrat janë ngritur kanë ikur në Durrës thotë zonja. E nderuar ju e keni lënë zonjë  pa bonus  me katër fëmijë që përpara se të binte tërmeti.  Kjo thotë unë jam pa bonus qiraje edhe pse jam pa strehë me katër fëmijë.

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Juve dëgjoni Borën, duhet të na dëgjoni edhe ne.

Gazetarja: Është kështu? Ka qenë apo s`ka qenë në bonus para tërmetit?

Punonjësja e Njësisë Administrative nr. 7: Bonusi Kërkon ca kritere zonjë e dashur. Ka marrë bonus. Sa muaj more?

Gazetarja: Pse ju ndërpre?

Punonjësja e Njësisë Administrative nr. 7: Nuk e di. Ju ndërpre se nuk ka sjellë prapë këtë dokumentin.

Gazetarja: Po mirë ju nuk mund ta asistoni, mirë zonja me katër fëmijë në mes të katër rrugëve, nuk  mund të asistojnë institucionet?

Punonjësja e Njësisë Administrative nr. 7 : Tani kjo është futur tek bonusi i strehimit me rastin e tërmetit.

Gazetarja: Çfarë do bëjmë në këto momente me këtë rast?

Punonjësja e Njësisë Administrative nr. 7 : Ti do vish dhe do të bëjmë strehimin ne derisa të dal bonusi i qirasë.

Punonjësja sociale e Njësisë Administrative nr. 7: Tani ti nëse do t`i strehosh fëmijët, rri këtu dhe prit të të strehojmë, të gjejmë vendin.

Punonjësja e Njësisë Administrative nr. 7: Bora fajtore për sot je ti.

Teksa gazetarët e Boom prisnin jashtë njësisë administrative numër 7 për të mësuar në lidhje me zgjidhjen që do t`i jepej rastit, e reja ka humbur ndjenjat dhe është shoqëruar nga urgjenca drejt spitalit.

Nëna e Avdiajt ka akuzuar autoritetet vendore për mungesën e vëmendjes ndaj rastit, duke bërë apel për strehimin e vajzës dhe fëmijëve të saj, në pamundësi për ta bërë vete këtë, për shkak të jetesës në emigracion bashkë me një fëmijë të sëmurë.

Gazetarja: Kam mësuar se ju jetoni jashtë dhe jeni kthyer ditën e djeshme, e vërtetë?

Nëna e vajzës: Po, është  e vërtetë ta kallëzoj edhe biletën që dje jam kthyer. Për shkak të situatës së tërmetit u ktheva për gocën, se gocën e kam me qira , me urdhër mbrojtje.

Gazetarja: Ku e keni dërguar Borën?

Nëna e vajzës: Tek xhaxhai i vet. Hajde aty shikoje. Unë kam dalë të gjej një shtëpi me qira, por nuk ka se janë këta të shkollave. Është te xhaxhai po xhaxhai e mban një ditë, dy ditë, por nuk e mban 10 vjet. Asnjë gjë shteti për të s`ka bërë. Edhe Bashkia ja ka dhënë nja dy muaj a tre (bonusin e qirasë) edhe i ka thënë ka mbaru gjithçka. I lutna shtetit edhe një dhomë dy me dy ta ketë vajza imë për gjithë jetën. Se edhe unë kam hallet e mia, se unë kam dhe djalin e sëmurë, 24 vjeç, e kam me infeksion në tru dhe më kanë kërkuar 12 mijë euro jashtë shtetit se në Shqipëri nuk mund ta bëj kush.

E pyetur në lidhje me situatën administratorja e njësisë 7 u shpreh se me rastin është njohur vetëm atë ditë dhe se në vazhdim do të shikohet çdo mundësi për të strehuar Borën dhe katër fëmijët e saj të mitur.

/Ora News

- Advertisement -

TE FUNDIT