16.5 C
Tirana

Tensionet në Shkodër dhe Tropojë, kërcënon KQZ

VENDI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar pas tensioneve në Shkodër dhe në Tropojë në lidhje me KZAZ-të. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e këtij institucioni tha se pengimi i procesit zgjedhor përbën akt penal të dënueshëm, duke theksuar se ata që pengojnë zgjedhjet do të përfundojnë në burg.

“KQZ vijon punën për të mbajtur zgjedhjet e 30 qershor. Disa kryebashkiakë kanë shkruar shkresa për KZAZ. KQZ bën me dije se këto shkresa bien në kundërshtim me ligjin. KQZ ripërsërit kërkesën që të mos ketë veprime të jashtëligjshme, që KQZ dhe KZAZ të mund të bëjnë punën e tyre. Kuvendi i Shqipërisë përmes një rezolute 5.6.2018 ka shprehur mbështetjen për KQZ që të mbrojë pacenueshmërinë dhe vazhdimësinë.

KQZ ka vendosur të cilësohet ineksizstent dekreti i presidentit Meta. Shqiptarët kanë të drejtë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor. Këto veprime janë me pasoja të rënda për zgjedhjet dhe vendin. Veprime të tilla përbëjnë vepra penale. Shkelja e këtyre ligjeve bën që personat që shkelin këto nene të mos kenë mundësi të zgjidhen, sipas ligjit të dekriminalizmit. Ne vijojmë punën normalisht për mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e KQZ”, deklaroi zëdhënësja e KQZ-së.

Persona të paidentifikuar thyen xhamat dhe dyert e më pas hoqën materialet zgjedhore që ndodheshin brenda ambienteve për KZAZ-në numër 9 në Tropojë. Më herët, Bashkia kishte marrë vendimin për lirimin e qendrave të KZAZ-ve, pas anulimit të zgjedhjeve të 30 Qershorit nga Presidenti.

Për të dytën ditë radhazi, tensione pati edhe në Shkodër, në KZAZ-në numër 2. Në ambientet e Pallatit të Sportit pati incident midis dy policive, asaj të rendit me atë bashkiake. Policia kërkoi të hapen ambientet e Pallatit të Sportit për të vendosur aty bazën materiale për zgjedhjet e 30 Qershorit, por kjo u kundërshtua nga Policia Bashkiake, e cila në nuk lejon që ky ambient të jetë i zënë për KZAZ.

Javën e shkuar, 3 bashki të djathta, ajo e Shkodrës, Burrelit dhe Kukësit iu bindën vendimit të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Me anë të shkresave zyrtare drejtuar Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor dhe KQZ-së, zyrtarët lokalë kërkuan heqjen e listave të zgjedhësve,

si dhe lirimin e menjëhershëm të Pallatit të Sportit “Qazim Dervishi” në Shkodër, ambienteve të Pallatit të Sportit “Ferit Hysa” në Burrel dhe ato të Qendrës Kulturore “Hasan Prishtina”, e palestrës sportive të shkollës së mesme të përgjithshme “Havzi Nela” në Kukës./ Opinion.al

- Advertisement -

TE FUNDIT