16.5 C
Tirana

Të mjerët shqiptarë të Macron…

VENDI

Macron,

me siguri kur dëgjon azilantët shqiptarë të flasin për vendin e tyre të kujtohet pikërisht “Të mjerët” e Hygoit, por më lejo të të them që ky është vetëm një version audiovizual që po dëgjon. Do të doja të rrëfeja edhe ‘mjerimin’ tim, që është më i redaktuar se thënëshkrimi i shqiptarëve që janë në rrugëtimin e tyre për një jetë më të mirë, qoftë në Francë apo Spanjë.

Të mjerët në libër nuk kanë rroba, rrugët janë të pista dhe gjithçka që lëviz hedh baltë mbi tjetrin, por nuk është kështu në vendin tonë. Vajzat këtu vishen shumë bukur, ato shkojnë në diskoteka, hedhin parfume franceze dhe pijnë verë të mirë. Në vendin ku jetoj unë nuk i hedhin mbeturinat nga ballkoni dhe makinat në katet përdhese janë nga më të shtrenjtat. Eja e pi një kafe të ngrohtë në Bllok. Do ta gjesh pa para, nuk do të paguash fare sepse ne nuk e lëmë mikun të paguajë.

Vërtet nuk kemi rroga të mira, por kemi të gjithë një mik që ka një lokal apo restorant me raki e verë të mirë. Se si i ka bërë ai paratë nuk na intereson, sepse nuk fusim hundët në punët e të tjerëve, sa kohë ai na ndihmon të bëjmë një jetë më të mire dhe na nderon te miqtë.

Të mjerët në libër shesin flokët dhe dhëmbët për fëmijët, ndërsa ne shesim gjakun, veshkat e tani së fundmi kemi nisur të shesim edhe spermën. Heroina klasike franceze shet trupin rrugëve bashkë me leckat që ka veshur, ndërsa ne e bëjmë me finesë, të veshura mirë, e nuk na shqetëson fakti se ai tipi do të na i grisë rrobat. Nëse policia kap heroinën tënde dhe e zhdëp në dru, në vendin tonë policin e kemi mik, dashnor, madje nëse heroina jonë ka probleme ka gjithnjë një polic shok si vëlla, që e thërret dhe e mbron. Me pak para apo me një favor epshndjellës, ne mbyllim çdo konflikt.

Të mjerët janë ata që nuk dinë të shkruajnë e të lexojnë. Këtu sërish ndryshojmë. Sepse të mjerët e këtij lloji nuk janë si te ju, pa shkollë. Ne kemi të shkolluar që nuk dinë të shkruajnë, por ama kanë një diplomë, madje disa syresh i kemi edhe në parlament. Heroina klasike nuk di çfarë firmos se nuk di të lexojë, ndërsa ne thjesht nuk dimë të interpretojmë. Se për firma, kemi mësuar shumë nga ato piramidalet. Aq shumë sa që edhe kur na dhurojnë apo na ndihmojnë, mendojmë se një gjë është me të futur në këtë derexhe.

Ah, po në veprat që ke lexuar ka gjithnjë një hero, në ato që sheh përmes syve të shqiptarëve nuk gjen një të tillë. E ke gabim. Edhe këtu ndryshojmë. Edhe ne kemi heronj. Ishte një mjeke në maternitet, që kur ra tërmeti nuk doli nga ndërtesa. Ishin katër krerët e besimeve fetare që parakaluan në Francë krah për krah kur të gjithë postonin “je suis…”; janë ata që punojnë çdo ditë në këtë vend edhe pse nuk e marrin pagën në kohë, janë ata që i kanë rritur fëmijët me më shumë libra se sa këpucë të ngrohta, janë ata që kur luajtën me kombëtaren franceze festonin përpara ndeshjes bashkë me ju.

Heroi yt haxhon ca para për Kozetën e mjerë. Në një nga redaksitë ku kam punuar, të gjithë bëheshim nga pak heronj për të ndihmuar një fëmijë. Njëherë një miku im tha se do të ishte mirë t’i blinim një protezë për këmbën një vajze që nuk e kishte dhe që njëra këmbë i ishte rritur, ndërsa tjera nuk i arrinte në tokë. Ne jemi ata heronjtë e varfër që sado kemi vjedhur e sado të varfër jemi, do të të ndihmojmë për katedralen. Le të qelbet muzeu ynë kombëtar, le të prishet teatri, le të shkatërrohen kishat tona. E sheh, pra, që edhe ne kemi heronj?

Në vendin tënd ka protesta për karburantin, në vendin tim për universitetet. Në libër ka revolucion, ne po bëjmë reformën në drejtësi. Në vendin tënd thyhen xhamat e lokaleve dhe protesta juaj quhet e drejtë.

Në vendin tim vetëm kryeministrisë ia nxjerrim inatin dhe na quajnë huliganë. Të mjerët e mi, Macron nuk vriten më në protesta. Ka ndodhur njëherë e një kohë, e vërtet nuk ka fajtorë se nuk ka gjykatë, por iku ajo kohë. Te ne shokët e Gavroshit vdesin, por nuk është se i vrasin.

Në librin që kemi lexuar të dy bashkë ligji ka nevojë për përmirësime, por sërish zbatohet. Ndërsa në realitetin që jetoj unë nuk ka asnjë kuptim që të zbatojmë ligje që nuk bëjnë. Për ne këto ligje s’janë të drejta.

Nuk e di çfarë të kanë thënë për shqiptarët. Ndoshta t’i kujton se ne nuk kemi ujë. Po si ka mundësi që ne jemi gjithnjë të krehur, me grim dhe gati për koncertin e radhës? Mbase të kanë thënë që ne jemi aq të mjerë sa nuk e kalojmë dot vitin shkollor pa puthur pedagogun apo pa joshur dekanin. Por jo e ke gabim, ne kështu marrim diplomat, ose vendet e punës. Të ndershmit e këtushëm thjesht nuk jetojnë një jetë luksi, por ama përpiqen çdo ditë. Në mos me seks, diçka zgjidhim me para në dorë. ne shërohem me para në dorë, te ju futesh në borxhe.

Nuk jemi aq të mjerë, sa të mbyllemi në manastire. Por luftojmë çdo ditë. Madje edhe ata që janë në gjakmarrje dalin nga kulla me të shoqen vetëm për të nxjerrë një copë bukë për familjen. Nuk jemi aq të mjerë sa të dorëzohemi, por shkojmë punojmë në çdo cep të botës, e kur të kemi bërë para mjaftueshëm të gjithë duam të kthehemi sërish në vendin tonë.

Po, unë jam njëlloj si Kozeta, që nuk dua të izolohem në një vend besimi, por lexoj librat e të gjitha besimeve fetare. Nuk e di sa të pëlqen vëllimi i tretë i “Të mjerëve”, por mua shumë. Dhe kjo besoj është pjesa që nuk ke dëgjuar për shqiptarët.

Ne nuk kemi mbetur aq të mjerë sa të mos i njohim kushurinjtë. Ne nuk i telefonojmë vëllait apo motrës një herë në tre muaj. Ne nuk lindim fëmijë, etërit e të cilëve nuk dihen. Ne nuk i lëmë prindërit të mbijetojnë me pesnsionet e mjera. Ne ende bëjmë për njëri-tjetrin. Dhe kur mendoj se mund të humbasim edhe këto, duke u bërë si ju, nuk e dua fare ndihmën ekonomike të miqve të tu europianë.

Kozeta në Shqipëri, sado të dashurojë, nuk ia kthen shpinën familjes. Sado joshës të jetë ai që ka në krah, ajo nuk do ta lërë asnjëherë atë që e rriti të vdesë i vetëm. Sepse duart e tim eti, rrudhat e tij, ecja, lotët e mamit, sakrifica e saj nuk vlejnë sa asnjë dashuri tjetër.

Ne nuk do t’i thonim kurrë në fytyrë dikujt që: është i mjerë. Ne nuk jemi asnjëherë aq të sinqertë se nuk të lëndojmë kaq shumë. Gërvishtjet në shpirt nuk bëhen me thonj, bëhen me fjalë.

“Mjerimi është vërtet kafshatë që nuk kapërdihet”, por “të duash” vlen më shumë se paratë.

Nga Luela Myftari

- Advertisement -

TE FUNDIT