10.5 C
Tirana

Si po përdoret politikisht, Ermal Meta kthehet në “mollë sherri” mes të majtës e të djathtës

VENDI

Ndërsa një javë më parë, kur pas përjashtimit nga Sanremo-ja, Ermal Meta u “kryqëzua” nga qarqe dhe rrjete të djathta si “shqiptari mashtrues”, sot që triumfoi në festivalin e këngës së lehtë më të famshëm në Europë, askush nuk shkruan se fitoi një shqiptar.
Analistët e faqeve të kulturës së mediave italiane po merren thjesht me faktin e muzikës, suksesit të Ermal Metës dhe Fabrizio Moros, tekstin e këngës, por asnjë rresht për revolucionin që ka ndodhur: “një shqiptar fiton Sanremo-n”.
Ndoshta nëse do të ishim në një periudhë tjetër, ka shumë gjasa që scoop-i i shqiptarit fitues do të dilte ndokund, por bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare të 4 shkurtit në Itali, ku gjithçka mund të hedhë në erë, aq më shumë fakti se një emigrant ka fituar në atë që cilësohet si “ajka e kulturës” apo podiumi ku e kanë zotëruar  “zemra e shoqërisë italiane”.
Por sot vendi fqinj është në krizë të thellë jo vetëm ekonomike por edhe ndërgjegjeje, ndaj kanë frikë të përmendin dhe ta komentojnë faktin se një shqiptar ka triumfuar në Sanremo-n e Modugnos, Mina-s, Celentano-s, Albano-s dhe emrave të mëdhenj të muzikës italiane. Me Ana Hoxhën ishte ndryshe. Ajo ishte Oxa dhe i përkiste tjetër epoke.
E gjithë kjo memecëri që po ndodh sot në mëngjes, e ka origjinën tek buja reale që ka bërë fitorja e Ermal Metës dhe që po përdoret me kujdes nga palët pretenduese për të fituar zgjedhjet.
Sanremo, më shumë se një festival këngë, është një magnet politik që shpërndan influencë shumë të madhe në shoqërinë italiane.
Ai është përdorur në vite e vite nga mjeshtrit e imazhit. Këtë herë, sapo në festival ka hyrë kënga “Nuk më keni bërë asgjë”, një duet mes kantautorit shqiptar Ermal Meta dhe atij roman Fabrizio Moro, ajo u projektua si fituese, pasi ishte shumë e bukur si në muzikë edhe tekst.
Por menjëherë, në rrjetet sociale që i përkisnin qarqeve ksenofobe të “Lëvizjes 5 Yjet”, nisi sulmi dhe akuza për plagjiaturë.
Ky sulm pati një reagim të paparë nga ana tjetër, prej rrjeteve të qendrës së majtë të Matteo Renzit, të cilët përkrahën Ermalin dhe e cilësuan luftën ndaj tij si “manovër politike për të ngjallur ndjenjat ksenofobe”.
Sanremo është një “bishë komunikuese”.
Këtë vit atë e panë rreth 15 milionë italianë të të gjitha shtresave, që janë përfaqësuese e fortë e shoqërisë.
Matteo Renzi, në një postim në Facebook, të shtunën në mëngjes, i ftonte të gjithë përkrahësit të ndiqnin finalen e Sanremo-s.
Renzi, si një politikan që punon me sondazhe të përditshme, e di që Sanremo-ja mund të bëjë mrekullinë dhe ta ngjisë si parti e parë, ndërkohë që deri tani renditet deri 4 pikë më pak se Lëvizja 5 Yjet.
Në fund, fitorja e një emigranti u ka mbyllur gojën të gjithëve. Ata që presin të përfitojnë prej këtij fakti po lëvizin me kujdes, për të shpërndarë idenë e tyre se “Italia është vend i barabartë për të gjithë”.
Kurse të djathtët kanë frikë që të sulmojnë pasi mund t’u kthehet kundër gjithçka në dy javët e fundit para zgjedhjeve. Megjithatë, djali nga Fieri, i cili arriti të “trondisë” Italinë me fitoren në Sanremo, arriti edhe një zhvillim tjetër  të rëndësishëm.
Prej vitesh, ky event tradicional ishte i “vdekur”, pa gjak e jetë. Avash-avash po shkonte drejt venitjes totale. Efekti “Meta” i ka dhënë një lëkundje duke sjellë një zgjim interesi për këtë festival të përmasave botërore në famë.
Kjo, edhe falë votimit “në rresht” të emigrantëve shqiptarë në Itali, që e kthyen Sanremo-n në një spektakël të gjallë e me energji rinore, siç është edhe mesatarja e moshës së shqiptarëve, si këtu edhe në diasporë.
Për Corriere Della Sera, “revolucioni-Meta” ishte kulturor e jo politik, “pasi riktheu rininë jo thjesht tek kënga, por e uli së bashku me prindërit përpara televizionit.  Meta-Moro kanë ringjizur familjen italiane e cila po shpërbëhej pa kthim”…/Ylli Pata

- Advertisement -

TE FUNDIT