15.5 C
Tirana

Shqipnia në përshtegtimin toksor drejt Perëndimit të pa perëndim!

VENDI

Çfaqja e perditshme po aq e ré sa edhe e vjeter që aktrohet në teatrin e politikës sonë kombtare, e që deri tash kumboi si ushtima n’shkretinë u pagëzue me êmnin “Shqipnia në BE”. Ky rruëgtim i gjatë, i nisun prej 2009 mâ shumë se me kurrgja u karakterizue me pytje retorike të lloj-llojshme, konstatime qeveritare, idena brilante, debate  televizive, analiza gjeopolitike , koreografina gazetareske, spekullime , takime të përfaqësuesve shqiptarë në arenën ndërkombtare, e s’mrâmit e gjithë kjo pafundësi  aktivitetesh  pâ asnji konkluzion rezultativ për të ardhmen perëndimore të kombit tonë, gjithshka shterpë.

Kur kaloj ndër mend gjithë këtë thriller poltitk  menjëherë më zgjohen nga gjumi receptorët e reminishencës, të cilët më bâjnë me arsyetue në retrospektiven historike të popullit tonë. Asocimi mendor  âsht i menjëhershëm me lavdinë e dikurshme, me vitin e pamvarsisë, me kryengritjet e pareshtuna të shqiptarve prej 1910 deri 1912, me punën e palodhun të  patriotëve tanë që t’u perdor ditunitë intelektive që i gjetën në strukturat e brendësisë  së tynë mbërritën me shndërrue realitetin social në një antropologji të suksesshme politike, ata kishin  premjen e “homo politicus” gjâ që na kerkohet edhe ne sot si “homo rationalis”, “homo sacer”. Me kohen të gjithë ndërruen jetë dhe kështu ia dorëzuan stafetën sternipave të tyne, herojve tonë aktual.

Një pjesë e ktyne të fundit lëné se nuk i bânë anamnezë ktyne ngjarjeve por harruen edhe  logjikën e fenomenit në vetvete se kush ishin dhe shka duhet të bânin, sinkronizuan  moden e  ditunive sensibel  tue lanë menjëanë atë intelektive e tuj u kufizue me aq.

Procesi i integrimit i kërkon të dyja kategoritë, dmth barometrin politik që shpesh aludon në permirsimin e ekonomisë, në zhdukjen e korrupsionit, në përmirësimin e enteve juridike etj etj por edhe metodologjinë racionale dhe morale të të vepruemit, mendësinë e formimmit të kulturës shpirtnore të shqiptarit .

Me një gjuhë pak sa ma praktike do të tingëllontë në këtë mënyre se, çdo shkak në vetvete shkakton një efekt e në ktë optike   çdo pervojë politike duhet të modelohet simas shkakut që kâ shkaktue efektin, e vetë efekti bâhet prodhues i një shkaku vijues por që të dyja këto realitete konceptuale qeverisen prej ligjit natyror që i ka shkaktue që âsht ligji i parë ose nâna e të gjitha ligjeve pasuese.

Pra projekti  politik shqiptar duhet të ketë ngjashmëni anastatike me modelin e mâpërparshëm  por në binarët e frymës bashkëkohore sepse të tillë e lypë Perendimi, si Shqipnia  po ashtu edhe Perendimi  duhet të pranojë që baza e ligjeve të unionit duhet të jetë ligji i mâsiperm, ai shkak pá shkak që shkakton çdo efekt.Taman kjo vetëdije âsht ajo pika kyçe që na tregon se na jena njësoj si Evropa per sa i perket substancës por kena një ndryshim të konsiderushem per sa i perket atributeve.

E në këtë kontekst të nderthurjes së retrospektives me prespektiven,e me këtë vetëdije të plotë se na jena të barabartë me popujt e tjerë të globit, kritika Kantiane e arsyes të bân me kënë pak pesimist për rrugët e ndjekuna dhe për rezultatet e dobëta të gjër-tanishme në krahasim me shtetet e tjera progresiste por edhe në të njâjtën kohë të jep impulsin pozitiv për me gjykue në mënyrë analitike kontekstin social dhe politik tu u nisë prej disa sferave noshta kajherë edhe pak utopike për dikênd.

Kur mendja fluturon në skemen e ligjit universal dhe mundohet me ardhë në realitetin specifik at-herë medoemos pytjet dhe dyshimet janë të paevitueshme, e noshta disa herash marrin edhe formë në percaktimin e rastit specifik që per ne  âsht pershtegtimi jonë toksor drejt skenës politike perendimore, por jo vetëm ky por edhe objektivi që të shkojmë drejtë atij Perëndimit tjeter.

Pytjet dhe dyshimet janë të lloj-llojshme, nga e kalumja në të ardhmen  por kryesisht spektrin e tyne të veprimit e kanë në të tashmen e vazhdueshme, pra ecin dora dorës me nierin.

Në 1912 kena marrë pamvarsinë, po sot në 2014 a  populli i pamvarun? Nqs nuk ndihemi të tillë at-herë prej kujt mvaremi?  Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londonit a kâne mbarue énde? A ekzistojnë mâ patriot që të derdhin diersë për tokën e tyne? Evropa mâs shumë e shumë aventurave e interesave vetjake  në 1912 na e shtrini dorën, po sot a po na perkrahë, a vazhdon me na pasë për zêmër? Shka kerkon prej nesh? A   në gjëndje me kuptue mesazhin real të saj? Politika jonë a thue mos e ngatërron Evropen aktuale me ndonjë evrope tjeter virtuale abstrakte  të krijueme nga një imagjinatë e shfrenume shifrash algjebrike? Cilat janë kategoritë logjike të politikës sonë? A mos vetë-konsiderohena popull iluzionist?

Të gjitha këto pytje e të tjera nqs do të ishin ngritun në logjiken e politikës sonë apriori, do të kishin pasë një rezonancë mâ pozitive për procesin e pershtegtimit se ky aktuali .

Pytjet, reflektimi, mendimi janë nocione për vendet perparimtare, janë themeli i grataçeles së zhvillimit, janë ato që e krijuan sistemin politik modern.

Edhe vetë  filozofi i madh francez Deskartes mbështeste tezën e vet në pytje, dyshime, dhe mendime, me anë të t’cilave thoshte se  njeriu kupton  ekzistencën e tij, e na për hater ktú dona me mbërritë, me  bâ me kuptue Evropen se na ekzistojmë ontologjikisht e jo vetëm se gjallnojmë si gjallesa frymëmarrëse nân kulmin e spektrave të ndryshëm politik. Ekzistenca jonë nuk na kufizon por perkundrazi na hapë drejt nje diapazoni ma të gjânë vlerash sepse na tregon se  bâjmë pjese në një Ekzistence me “E” të mâdhe që i shkapercen kufijtë administrativ, hapsinor dhe kohor. Pra, krejt sekreti i punës âsht që të punojmë për kêt ekzistencë e mos t’rrêhena vetëm me kopshtin artificial të edenit “evropen e bashkume”, sepse vetë kjo e fundit ekzistencen e kâ të perbashkët me ne dhe të marrun prej të njâjtit burim.

Kështu që tue perdorë kêt metodë induktive mbërrijmë me u aftësue për themelin e integritetit që nuk âsht gjâ tjeter vetëm “ekzistenza  jonë ” që kjo në vetvete nuk âsht kurrgja tjeter veç se  vokacion natyror i çdo personi njerzor me kên në rradhë të parë person e pastaj çdo gja tjeter, edhe n’kjoftë nevoja  pse jo edhe politikan .Shndritja jonë duhet të zbrësë porsi rréxe prej qiellit kurse puna jonë si rréxe duhet të naltësohet dhe të shndrisë qiellin, e mos të harrojmë, se kjo âsht detyra jonë e parë, për kêt jena të thirrun.

Logjika e “ekzistencës”, âsht instrumenti që  unifikon krejtë copezat e hupuna të  mozaikut,  të cilin mund ta analizojmë në një platformë dy dimensionale  :

1- Filozofi politike.

2- Unitet politik.

Por shpjegimit të dy dimensioneve të mâsipërme dëshiroj t’i paraprij tuj citue fjalët e mikut të shqiptarve Papes Gjon Palit të II që me shumë dashni i thâ gjatë vizitës së tij në vëndin tonë, me 25 prill 1993 të cilat do të sherbejnë si premisë  magjore në konkluzionin e pershtegtmit:

“Historia nuk e ka njohë ende atë që ka ngjarë në Shqipni. Kështu, të dashtun shqiptarë, drama juej duhet t’i interesojë gjithë kontinentit evropian !

Asht e domosdoshme që Europa të mos harrojë!”

1. Filozofi politike

Objekti kryesor i  filozofisë politike, âsht raporti mes t’vepruemit moral dhe t’vepruemit politik, që don me tregue se nieri n’bazë t’kênunit të tij qënje njerzore i perbâmë prej unitetit të shpirtit, të arsyes, të trupit dhe prej të pertéjmes duhet të vendosë një ekuiliber  të drejtë  ndermjet ligjeve natyrale dhe ligjeve e shkresave politike, ndermjet shpirtit dhe arsyes, ndermjet trupit fizik dhe trupit të marrun si dhânti prej dikujt tjeter.

Politika duhet të shoshisë çdo skemë të saj ligjore, administrative dhe strukturore brenda korrnizës së moralit,  që nânkupton se nuk mund të bâhet  skllavopronare e  tij sepse natyra e saj origjinale âsht e krijume me kênë në ndihmë dhe në shërbim të personit njerzor dhe mbi të gjitha per të mirën mâ t’madhe të tijën, prá çdo ligjë apo vendimarrje, në dobi të njeriut e jo anasjelltas. Kurse morali vetvetiut âsht metri i t’vepruemit politik  se piknisja e tij âsht dashnia dhe pastaj vjen edhe ligji,  komponentin e parë të këtij metri  politika  disa herash edhe nuk e merr  per të domosdoshme, e anashkalon ose disa herash e nënvleftëson por duhet të dimë se nieri âsht dashni,  i aftë me shprehë dhe me jetu në  dashni e nuk perkufizohet me  “ligjë” por ligji vjen si rrjedhoje e t’kenunit dashni, e n’kêt rast logjika ndryshon n’thelb,  e  pikërisht kjo e njimitë e sekondit e mos mishnimit të kësaj logjike i kushton mâ shumë se shumë, çdo politike, çdo ligji e  çdo institucioni, e n’kêt hapsinë kohore çdo drejtor, deputet, minister,kryemnister, apo kushdo kjoftë ai, mund të çalojë plotësisht.Në kêt pikë secili shqiptar mund t’vetëpeshohet dhe të kuptojë a ká prìmje ose jo per politikë, a âsht ky vokacioni i realizimit má të mirë të jetës së tij dhe a âsht kjo shka  vetvetja e tij lypë prej tij.

Në linjën e këtij arsyetimi vetvetiut kuptohet se  ligji i natyrës nga i cili buron morali vjen para  ligjit civil, por prej simbjozës së të dy ligjeve dalin kordinatat e  filozofisë politike që rreshtohen simas një hierarkie e cila bazohet  në sistemin e vërtetë të  “vlerave të mirësisë”. Raporti  i krijesës me Krijuesin, raporti i vllazenve me  njani – tjetrin, ndergjegjia personale në raport me atë të perbashktën, individi para hijeshisë dhe madhështisë së natyrës, e n’fund rrespektimi i ligjeve  civile nga qytetari i thjeshtë e deri të nanpunësi institucional për t’vetmin objektiv , mbarvajtjen dhe rregullimin e jetës personale , shoqnore dhe kombtare.

Të gjitha këto vlera e të tjera që s’i kam permendë janë të drejtat themelore të çdo njanit, po ashtu si e drejta me marrë frymë, me mendue, me ekzistue me dashtë etj etj pra kânë lindë që me lindjen e nierit edhe për kêt askush nuk  e gëzon forcën me’i infektue, me i neperkambë, por veç me i promovue, me i náltësue e me ia tejçue edhe brezave n’vijim, simas kësaj skeme duhet të modelohet një politikë e qëndrueshme dhe perparimtare.

Objektivi final i politikës duhet me kalue në kapërcyellin e ngushtë  të t’mirës së  individit në veçanti dhe të Kombit në tan’si, e me kêt ekuacion teoria e Kalvinit për perzgjedhjen e njerëzve për “Bashkimin Evropian” eleminohet  pá nisë énde, sepse të gjithë ne jemi qënje njerzore e si të tillë në kandar peshojmë njësoj e si rezultat i kësaj n’fund t’fundit randësi kâ që t’mos perendojë kombi e jo nji spekter politik, nji deputet apo disa këndvështrime politike ose ndoshta edhe vetë BE, ky apel atdhedashës duhet të tingëllojë fuqishëm në veshin e çdo shqiptari  që të zgjojë në tá dëshirën dhe hovin shpirtnor që pá pushim  t’i naltësojnë sytë  drejt këtij perendimi.

Deklarata  e pamvarsisë së Shteteve të Bashkume të Amerikës (1776) na mëson se:

“…të gjithë njerëzit janë të krijuem të barabartë”, dhe se

“…jetën, lirinë, kërkimin e lumtunisë… t’i marrim si të vërteta në vetvete”,

pra n’kêt rast Shqipnisë nuk i mbetet gjâ tjeter veç se ta tejkalojë vetveten për nji realitet mâ t’gzueshëm dhe t’pafund që e pret qysh prej fillimit.Të gjithë jemi t’barabartë, emnuesi i përbashkët i kësaj barazie âsht pikërisht kërkimi i lumtunisë së vërtetë, e pra mos ta lypim këtë të fundit të punëtori i krahit por te  vetë Pronari i mallit, mos ta lypim te shërbëtori por te vetë Zotnia, mos të kënaqemi me materien por me atë që âsht tabani i materies dhe që me sytë e ballit nuk jena në gjëndje me e pá.

Vlerat në ne duhet të zbresin prej nalt poshtë kurse ne duhet të ngritemi nga poshte nalt  me qëllim ndryshimin e realitetit i cili bâhet tuj e pervetësue në vetën e parë kêt proces paradoksal të përultësisë që të bjen naltësimin,  tu ndryshue secili vetveten brenda këtij realiteti por edhe  tu mos harrue se alfa dhe omega duhet të jetë “perendimi i paperendim” e jo “perendimi i Bashkimit Evropian”.  Tu ecë në gjurmët e kësaj logjike pá pritë pá kújtue lulëzojnë dy konkluzione me një vërtetësi të madhe, se çdo sovran nuk âsht Sovran por “vëlla” me çdo njanin,  se nuk mund të vendoset në kushtet e absolutizmit dhe para ligjit âsht i barabartë me mâ t’vorfnin ose me má t’lanunin ndër të lanun, si para atij natyror po ashtu edhe para atij civil dhe n’fund kuptohet se në qytetnimin e nándheshem të pakten atje do të takohena të gjithë sëbashku si shqiptar po ashtu edhe të kombsive të tjera të BE , si të pasun si të vorfen, si deputet si njerz  të thjeshtë, si intelektual si nierëz pá asnji klasë shkollë, si shêjtën po ashtu edhe mëkatnor.

Në karregjaten e kësaj filozofie politike duhet të drejtohet qeveria jonë, mënyra e arsyetimit dhe e veprimit të udhëhjekësve tanë, që të gjithë në t’kenunit e tyne janë per natyrë të mirë, por duhet të jemi të ndergjeshem se mirësia e natyrës me tiparet e formume gjatë jëtës duhet të shkojnë krahaz  e jo në dy drejtime të ndryshme pá asnjì pikë perputhshmënie. Pergjegjësia nuk âsht vetëm e politikanëve por edhe e çdo qytetari shqiptar. E tashmja ká  pergjegjësi morale për të kaluemen por edhe për të ardhmen dhe për këtë mos ta lamë kohën të na dalin duersh por “carpe diem” sepse “tempus fugit”.

2. Unitet politik

Të analizojmë 5 shekujt e fundit të historisë sonë, në periudha të ndryshme  açik ideja e një uniteti politik. Skenderbeu i bashkoj princat në Lezhë me 2 mars të 1444, lidhja e Prizrenit i bashkoj shqiptarët në kuvend për mbrojtjen e tokave të tyne nga coptimi prej t’huejvet, kongresi i Manastirit u bâ për unifikimin e shqiptarve nân nji gjuhë dhe n’nji alfabet të vetëm, po ashtu bashkimi i shqiptarve në 1912 për pamvarsinë kombtare e kështu me rradhë. Populli ynë prá edhe n’vuejtje, n’tallaze, me kambë sbathun, pa búkë n’bark e  me shpirt ndér dhamë e tregoj ashiqare aftësinë e tij për bashkim, dhe si simbol i kësaj çdo shqiptar duhet të çojë ndér mend edhe sot fuqinë e asaj shprehjes së moçme popullore “bashkimi bân fuqinë”.  sot, sa i bashkuem âsht populli ynë?

Në shka ose për shka  të bashkuem? Politika duhet të jetë faktor i bashkimit e jo i interesave individuale e i perçamjes, tashmá edhe divide et impera fëmija n’djep e kâ kuptue se i kâ dalë boja motos së  imperatorëve latin “”, tash 24 vjet çdo qytetar po lypë bashkim, tash sa e sa vjet po lypim Bashkim Europjan, në shpirt ideja e bashkimit me dishka ose me dikend na rrâh pá prâ, cili âsht bashkimi që ne dona, në shka konsiston bashkimi që mosvetdija jonë na e kerkon parreshtun? Kêt pergjegje secili t’ia japë vetvetes , e mrapa pergjegjen ta aplikojë edhe në terrenin e përditshem.

E di se  kur me vemendje shqyrton situaten politike të tanishme shikon se énde disa vllazenve politikan iu vlon gjakau me ju përngja imperatorve latin, e kjo ma mirë së askund tjeter sdel në páh  në kanalet televizive kombtare dhe lokale po ashtu  në rrjetet sociale si twitter dhe facebook. Të vjen keq kur hyn në profilet zyrtare  të Edi Rames ose të Sali Berishes, statuset që kryesojnë janë të tipit, pak a shumë: “Edi Rama bllokoi procesin e integrimit të Shqipnisë  në BE”, “Berisha pengoi çashtjen e statusit”, “ Rama kështu”, Berisha ashtu”, “Meta kështu” etj etj , pra spekullime të tilla ndigjojmë dhe shofim çdo ditë. A janë të vlefshme këto për unitetin tonë, për politiken tonë, për shqiptarin tonë? Kështu ndërtohet kulltura shqpirtnore e Shqipptarit?

Në Evropë cilado që të jetë ajo, BE apo ndonjë Evrope tjetër mâ e mâdhe apo má e vogel duhet të përshtegtojmë  me shpirt, me logjikë, me vepra të dinjitetshme e jo vetem me hapsina të permirësueme apo  kollajllek t’levizunit, përshtegtojmë tue  vlersue shoqi – shójn per dhuratat e mira që secili i posedon tuj ja nisë prej te Berisha, Rama, Meta e tuj perfunduë të qytetari i fundit i Konispolit apo i Vermoshit. Duhet me ndryshue mentalitet e jo ligje, mendësi e jo kartë identiteti. Shkodrani i madh z. Sami Repishti motit shkruente këto fjalë:

“…okupacioni otoman ka nxjerre Shqiperine nga historia e kontinentit europian dhe e ka denuar ate te jete nji krahine e harrueme mbrenda nji perandorie te mbyllun, me kulture te kundert nga ajo e Europes, qe po rilindte ne Perendim….“

Lypet pra që në kete drejtim te jemi sa ma shume ortodoks në punë, në ligje, të mendojmë dhe t’iu bajmë të tjerve atë që do të dëshironim që të tjerët të na bânin ne e t’ia rikthejmë ëdhë nji hërë Shqipnisë identitetin që i takon.

Me kêt ndryshim ontologjik jam i sigurtë që Evropa kâ me na dashtë e kâ me na pranue , me na perqafue por, prap se prap ne duhet ta tejkalojmë edhe Evropen, të shskojmë prap mâ përtej. Forca e bashkimit e Skenderbeut, shpirti dhe dashnia e Nânë Terezes, intelekti i Ibrahim Rugoves e penda e Kadaresë duhet të jenë paradigma e ndryshimit tonë, e permirësimit të politikës sonë dhe e bashkimit tonë kombtar, duhet të jenë pishtarë të ndezun në odat tona të errëta ndonjëherë të intelektit e ndonjëherë të shpirtit. Kjo koinoni vlerash e ndriçon Shqipninë në pershtegtimin toksor drejtë perendimit.

Kështu, të dashtun shqiptarë, drama juej duhet t’i interesojë gjithë kontinentit europian! (Papa Gjon Pali II, prill 1993 në Shqipni).

Le të formojmë shpirtin e shqiptarit e të pershtegtojme drejt Perendimit…

Nga Anton Kodrari

Firenze 2019

- Advertisement -

TE FUNDIT