Rudina Hajdari: Ndryshimi i sistemit nuk përjashtohet

Këshilli Politik pasditen e kësaj enjteje ka zhvilluar mbledhjen e përbashkët me të gjitha palëve politike për Reformën Zgjedhore.

Pas përfundimit të takimit bashkëkryetarja e Komisionit të Reformës Zgjedhore Rudina Hajdari, është shprehur se në tryezë nuk është përjashtuar mundësia e ndryshimit të sistemit zgjedhor.

Ndër të tjera në fjalën e saj për mediat Hajdari ka thënë se është shumë e rëndësishme që të futen edhe listat e hapura, në mënyrë që, sipas saj, shqiptarët të zgjedhin vetë dhe t’iu hiqet pak pushtet krerëve të partive.

Si bashkëkryetar ne kemi një fuqi prevaluese, mundësinë e vetos në produktin final, që do kalohet në parlament. Për ne është e rëndësishme që produkti final duhet të jetë një produkt që të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe të përfshijë sa më shumë aktorë politikë. Për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konsensus dhe me sa shoh edhe palët tjera kanë filluar të flasin për ndryshim të sistemit, pra nuk është përjashtuar nga tavolina, por po gjithëpranohet nga palët e tjera. Është një gjë për t’u parë. Ne duhet të kemi një produkt që të jetë dakordësuar nga të gjitha palët.

Është një marrëveshje që duhet të ndodhë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore, duke iu dhënë shans shqiptarëve të kenë lista të hapura, që ata të votojnë ata që duan, dhe për t’u hequr pak pushtetin krerëve të partive. Takimi ishte i suksesshëm, përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë.