12.5 C
Tirana

Një skandal i madh do trondisë qeverinë. Çfarë po paralajmëron Basha?

VENDI

“Retë që kanë nxirë qiellin, do të shpërthejnë shumë shpejt”. Kështu është shprehur Lulzim Basha në mbledhjen me dyert të mbyllura të grupit të PD, që u zhvillua dje. Sipas tij, do të thellohet skandali i ish-ministrit Tahiri, ndaj edhe opozita duhet ta vazhdojë aksionin e saj në të gjitha format.
Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlamentar thanë për gazetën Panorama se PD do të vijojë të mbajë një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin. Sipas tyre, deputetët demokratë do të vijojnë të bojkotojnë komisionet parlamentare me përjashtim të komisionit hetimor për çështjen “Tahiri”.
Gjithashtu, demokratët do të vijojnë të mbajnë një qëndrim të njëjtë edhe në seancat plenare në Parlament, ku dy çështjet kryesore për të cilat do të flitet do të jenë: arrestimi i ish-ministrit Saimir Tahiri dhe lirimi i protestuesve kuksianë të arrestuar. Kreu i PD-së,
Lulzim Basha, ka deklaruar gjatë mbledhjes se opozita do të vijojë aksionin e saj brenda dhe jashtë Parlamentit, duke qëndruar fort në këto dy çështje.
Në mbledhjen e grupit parlamentar deputetët janë informuar edhe për faktin se numri i kuksianëve të arrestuar ka shkuar në pesë, pasi Policia ka ndaluar një nga protestuesit, që ishin shpallur në kërkim.
Për kreun e PD-së, Lulzim Basha për opozitën është e papranueshme që ish-ministri Tahiri gëzon lirinë, pavarësisht se është dokumentuar në komunikime me grupet kriminale, ndërkohë që protestuesit e Kukësit mbahen në burg, pasi kërkuan një të drejtë njerëzore.
Basha solli në vëmendje edhe qëndrimin që demokratët mbajtën në Kuvendin Kombëtar të PD për protestuesin e Kukësit, duke theksuar se ka një ndjeshmëri të lartë publike për ata qytetarë.
Edhe kjo e enjte parlamentare pritet të mos ketë një seancë të qetë, pasi opozita nuk do të lejojë zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit. Basha ka udhë-zuar deputetët e tij të bëjnë një opozitë të fortë, për të qëndruar në lartësinë e kërkesës që qytetarët kanë nga opozita.

- Advertisement -

TE FUNDIT