14.5 C
Tirana

Natyra hakmerret ku na dhemb më shumë, mos u çudisni kur toka të përpijë edhe qytetet!

VENDI

Nga Alma Nikolli
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri një nga gjërat më me vlerë u bë prona. Shtëpia e tokat më në fund ishin private.
Në fshatra rrethuan me gardhe druri e tela bakri të gjitha arat që u pati marrë kooperativa, shenja kufiri pati edhe në tokat në mal.
Ato nuk mund të punoheshin, por pemët në to ishin pronë. Kushdo i preu pa kriter, i bëri dërrasa dhe ndërtoi shtëpi në Tiranë me to.
Të lodhur nga pronat e përbashkëta, me rritjen e mirëqenies, shtëpitë u rrethuan nga mure të larta. Në pjesën më të madhe të shtëpive të ndërtuara pas rënies së komunizmit kemi rrethim me avlli. Individualizëm.
Nga rruga, askush nuk duhet të shikonte çfarë ndodhte brenda mureve rrethuese të banesave.
Kështu filluam të mos kemi komunitaren e detyruar të kooperativave.
“Rrjete” kanalizimesh individualiste. Shtëpi të ndërtuara “kokë e këmbë” me njëra-tjetrën. Vështirë të gjesh dy banesa ngjitur me hyrje në një drejtim.
Dikush e ka derën kryesore me pamje nga lindja, dikush nga perëndimi.
Rikthehemi në fshat. Në vetëm pak ditë toka “përpiu” 2 fshatra në veri, Dardhën në Pukë dhe Blinishtin në Mirditë.
Bashkive respektive nuk u mjaftojnë fondet që të rehabiltojnë zonën, duke marrë parasysh edhe faktin që tashmë fshtarat janë braktisur dhe pak banorë i popullojnë. Fshatarët duhet të “zbresin” në qytet…
Blinishti dikur ishte komunë. Ka qenë fshat i zhvilluar, madje ka pasur edhe dyqane për “shopping”. “S’ta kam dit’ masën e gishtit, ta kam ble në dyqan të Blinishtit”, thotë teksti i një kënge të vjetër veriore.
Fshatrat janë bëra si tesha të arnuara. Faqe të tëra mali janë djegur.
Ato të padjegurat janë plot trungje. Pemët janë prerë dhunshëm, s’ka më fole zogjsh.
Ndonjë pemë të re që mbin me ndihmën e erës e zogjve e merr përroi i tërbuar.
Male të shkreta.
Ne kujtojmë se ajo që avullon nuk kthehet më, por jo.
Mbetjet tona të hedhura kudo në natyrë avullojnë dhe kthehen tek ne në shi acid. Gjithçka që ia kemi marrë natyrës po na e merr mbrapsht. Toka po na përpin që të ushqejë vetveten. Një ditë edhe ne do jemi tokë… toka që vazhdimisht po bëjmë gjithçka për ta tjetërsuar!

- Advertisement -

TE FUNDIT