18.5 C
Tirana

Me dekret nga Macron, Ismail Kadare merr titullin ‘Oficer i Madh i Legjionit të Nderit’ në Francë

VENDI

Janë vetëm 250 të tillë në Francë, dhe një nga ta, nga sot është shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare.

Me dekret të posaçëm nga Presidenti i Francës – Emmanuel Macron, Kadare sot shpallet ‘ Grand Officier de la Legion d’Honneur’, pasi fitoi titullin ‘ Komandant i Legjionit të Nderit’ në vitin 2016.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin “Prince of Asturias Awards” për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem.

Një ndër fushat më pak të lakuara të veprimtarisë së Kadaresë janë përkthimet, hulli të cilën e nisi më 1955, kur shqipëroi poemat Lisi, Fëminija, Në pyllin afër fronit, Katjusha, Pranvera, etj. të shkrimtarit rus M. Isakovski. Autorë të tjerë të shqipëruar prej tij janë: Eskili, Heminguej, Pushkin, Majakovski, Eminescu, Gogol, Esenin, Mihallkov, Shçipaçov, Mickieviç, Buske, Sendrar, Bodler, Andrade, Vijon, Kejler, Seferis, Kavafis, Elitis, Li Bo, Du Fu, Jan Czjun etj. 

Në medaljen e titullit është koka e Napoleonit, ndërsa nga mbrapa shkruhet motoja “HONNEUR” (nder). Urdhri është dekorimi më i lartë në Francë dhe është i ndarë në pesë shkallë të ndryshme: Chevalier (kalorës), Officier (oficer), Commandeur (komandant), Grand Officier (oficer i madh) dhe Grand’Croix (Kryqi i madh).

- Advertisement -

TE FUNDIT