6.5 C
Tirana

Më 21 qershor nuk është vetëm solstici veror, vjen në Shqipëri këngëtarja dhe modelja e famshme.

VENDI

Në datën 21 qershor, ju e dini që ne shijojmë solsticin veror. Kjo është dita më e gjatë e vitit, kur dielli lind në orën 05.07 minuta dhe perëndon në orën 20.17, gjithsej 15 orë, 9 minuta e 48 sekonda.
Në vende të ndryshme, ndryshon edhe gjatësia e ditës. Kjo varet nga vendi ku jeton. Në Alaska ka thuajse 24 orë dritë dielli, ditën e solsticit. Solstici veror në Hemisferën e Veriut bie çdo vit, në varësi të vendndodhjes, nga data 20 në 22 qershor dhe është dita kur Dielli është në pikën më të lartë.
Por nuk do të jetë vetëm solstici. Kantautorja dhe modelja e njohur, bashkëshortja e ish-Presidentit francez Nicolas Sarkozy, Carla Bruni, do të këndojë në Butrint. Ajo zgjedh t’i prezantohet për herë të parë publikut shqiptar me albumin e saj më të fundit, 11 këngë në teatrin e parkut kombëtar, një nga objektet arkeologjike më të rëndësishme të trashëgimisë tonë dhe asaj botërore.
Është zgjedhur një datë simbolike, 21 qershori, dita e “Festës së Muzikës”. Partneri mediatik është Televizioni Kombëtar Klan, përmes të cilit u dërgon shqiptarëve edhe një mesazh përshëndetës.
“Përshëndetje të gjithëve në Shqipëri. Doja t’ju thoja që quhem Carla Bruni e që do të këndoj për ju Ditën e Festës së Muzikës, në teatrin e vjetër të Butrintit në orën 21:00 dhe shpresoj që do të jeni atje”.

“French touch (Prekje franceze)”, është albumi i pestë të cilin Carla Bruni e hodhi në treg në vitin 2017. Kopjet e shitura të gjithë krijimtarisë së saj kapin shifrën e 5 milionë albumeve.
E vlerësuar si një nga gratë më të rëndësishme në botë nga revista “Forbes” në vitin 2010, Carla Bruni është treguar e rezervuar në detaje për koncertin e saj të parë në Shqipëri, duke ja lënë 21 qershorit zbulimin e tij.

- Advertisement -

TE FUNDIT