14.5 C
Tirana

Mark Marku: Vendimi i PS për t’u tërhequr nga “anti-shpifja”, i duhur

VENDI

Pedagogu Mark Marku e sheh si një gjë të mirë vendimin që mori mazhoranca në seancën plenare të kësaj të enjteje për të mos e votuar paketën anti-shpifje. Ai deklaroi në studion e lajmeve të “Vizion+” se PS hodhi hapin e duhur sepse të gjithë ishin kundër projektligjit.

Është një gjë shumë e mirë që është tërhequr nga projekti për të kaluar projektligjin në Parlament sepse kanë qenë të gjithë aktorët ndërkombëtar kundër ndyrshimeve në ligjin për mediat audiovizive. Përmes këtij ligji, AMA shndërrohej në një institucion censure. Momentalisht AMA ka kompetenca që të kontrollojë përmbajtjet për të drejtat e minoritetit, të drejtat e njeriut. Në rastin e portaleve, problemi është se edhe tani AMA mund të ndërhyjë kur ka shkelje. Projektligji ishte problem sepse kishte masa të tilla që nuk shkonin në gjykatë. Shqetësimi ishte se pa kaluar në gjykatë, AMA mund të vinte gjoba, të mbyllte media. Shkuan kundër opinionit ndërkombëtar, kundër mendimit të mediave dhe organizatave në Shqipëri për një gjë që ishte absurde.

Sipas pedagogut, nuk mundet që të miratohet një paketë e tillë ligjore vetëm për shkak të shpifjes sepse dëmi që i bëhet medias është shumë i madh.

Problemi kryesor është përpjekja për të kontrolluar mediat dhe fjalën e lirë. Rreziku për të shpifur ekziston në të gjitha shoqëritë, nuk është vetëm në shoqërinë shqiptare. Nga shpifja vuajmë të gjithë ne, por nuk mundet që për këtë arsye të bllokohen e të kontrollohen mediat sepse ka disa që shpifin.

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla lajmëroi gjatë seancës se mazhoranca është tërhequr për momentin për paketën anti-shpifje sepse do të presë opinionin e Komisionit të Venecias. Këtë të enjte pritej që PS të rrëzonte në Parlament dekretin e presidentit Ilir Meta, i cili e ktheu mbrapsht për reflektim projektligjin në fjalë.

- Advertisement -

TE FUNDIT