11.5 C
Tirana

Kush ishte Stephan Ingrisch, vjenezi që solli traditën e këpucëve në Shkodër

VENDI

Kushtue familjes Ingrisch, mjeshtrave të këpucës që erdhën nga Austria
Nga Pjetër Logoreci
Shpesh herë, për me fillue nji kërkim ose shkrim me temë historike, zakonore apo për ndonji përsonazh, për të cilat lexuesi tregon interesë, kam marrë shkas prej informacioneve të vlefshme, shënimeve përsonale apo kujtimeve të udhëtarëve e kërkuesve të ndryshëm, që kanë shetitun e njoftë mirë shumë krahina të Shqipnisë, ku kanë ba nji eksperiencë të pashoqe dijesh.
Tuj kenë se, jam banues dhe qytetar i Vjenës, si dhe njohës i mirë i lidhjeve e kontributit të Austrisë në Shqipni, u ndala me kuriozitet dhe interes me lexue disa rreshta të atdhetarit At Gjon Karma, që permbajnë të reja nga kërkimet e tija nder male të veriut, të cilat i ka mbledhë në një libër me titull – NDER MALET TONA.
Ndërsa për studiuesin Karma, shkrimi i tij – KPUCET ME LASTIKE NE SHKODER – ka sjellë nji “histori interesante” të ndodhun në qytetin e Shkodres; mue, ky shkrim, më nxiti kuriozitetin
për të ndjekë më në detaje këtë ndodhi, që të njoh historinë e një prej familjeve më të
njohuna të këtij qyteti, kryefamiljari i të cilës ka ardhun në Shkoder në fillimet e shekullit të 19-të, nga kryeqyteti i perandorisë së fuqishme Austro-Hungareze, Vjena.
At Gjon Karma kujton:”…heret, edhe në Shkoder, të gjithë kan pasë mathëkpucë të kuqe, të gjana si me kenë lundra. Në kohë të Vezirit qet rruga nëShkoder nji kpuctar prej Vjene, emni
Tef Ingris, nisë për Palestinë me krye nji kusht te Vorri i Krishtit. Kishte me veti nji strajcë plot me vegla kpucësh e kurrgja tjetër.
Kahë nuk ka në Shkoder bujtore, del në Gjuhadol e trakllon në derë të Ton Shirokës, pa njohtë pa dijtë, e lutet m´e lanë mbrendë. Nënadje Ton Shiroka e përciellë tu Veziri për me xjerrë leje me vijue udhtimin. Kahë shkojnë rrugës, ndeshen në Filip Cekën qi i pëvetë: Kush â ky mik, Ton? E kahë jeni nisë me shkue?
Asht nji mik prej Vjene, kpuctar, nisë për Palestinë me krye nji kusht, e po shkojmë te Veziri për leje udhtimi.
Filipi bahet me ta e të tre bashkë shkojnë te Veziri. Të ndimen Veziri se asht kpuctar (kundraxhi) siellet e i thotë Tefës: Kushtin ke kur e kryen; rri nja tre muej në Shkoder e m´i godit ushtris kpucë me lastikë, sikur i kan ndër dhena të përjashtme. Un kam me të dhanë
hak të mirë, e me ato të holla ke me udhtue për Palestinë ma vonë.
Tefës i mbushet mendja edhe pa tjetër ndalet në Shkoder, i punon kpucët ushtris për faqe të bardhë, mandej niset e shkon në Palestinë me krye kushtin e vet.
Mbasi shkon tu Vorri i Krishtit, kthen prep e ngulë në Shkoder, kahë i ishte pelqye, e nisë me punue kpucë me lastikë për popull. Atë ditë e mbrapa filluen m´u lanë mbas dore prej shumkuj kpucët e kuqe e m´u mathë kpucët (kundrat) me lastikë. “
Kush ishte austriaku Stephan Ingrisch?
Në nji dokument të familjes, nxjerrë prej Librit të Pagëzimeve të Famullisë së Shkodres, të datës 23 qeshor 1846, Stephan Ingrisch ose sic e thirrshin shkodranët Shtjefen Ingris, figuron qi ka lindë me 1 shkurt 1809 në Althöflein të Austrisë, një komunë me rreth 450 banorë
(sot), rreth 55 km distancë nga Vjena. Kjo tregohet edhe në dokumentin e lëshuem nga Famullia e Grosskrut në Austri, ku vërtetohet qi Shtjefen Ingris asht pagëzue aty dhe qi familja Ingrisch (Ingris) më vonë u vendos në Vjenë.
Qysh në rini Shtjefen Ingris, në vendin e lindjes së tij ushtronte zanatin e këpuctarit, të cilin e trashigoj nga i jati Josefi. Ato qi e njoftën tregonin, qi ai u largue nga Austria për ti shpëtue marrjes ushtar dhe u vendos në Trieste ku përpiqej me ndertue nji tregëti të vogël lëkurash,
të cilat familja e tij i prodhonte dhe i përpunonte vetë, tuj kërkue kontakte edhe me tregëtar të tjerë jashtë kufijve të Austrisë.
Ndodhi qi gjatë një udhëtimi si pelegrin, për me vizitue Vorrin e Krishtit në Tokën e Shejtë, për ti shpëtue motit të keq dhe furtunës, anija me të cilën udhëtonte Shtjefni, u ndal në portin e Shëngjinit.
Ndërsa pritshin qi moti i vështirë dhe deti të qetësohej, Shtjefni vendosi të vizitonte qytetin e Shkodres. Kishte ndigjue shumë për këtë qytet, qi ishte një qendër e randësishme tregtare
prej ku lulzonte tregtia me shumë vende të rajonit dhe për Shtjefnin mund të ishte një rast i mirë për me krijue kontakte me tregtarët vendas.
 
 

 

Në artikullin “ Edhe një vepër e Ndoc Martinit” të piktorit të njoftun Kujtim Buza, në gazetën Drita të datës 10 prill 1983, në mes të tjerash autori shkruen: “…në Shkoder, (Shtjefni),
meqë ishte zanatci i mbaruar, këpucar, merret vesh dhe zgjon interesim.
Thirret nga Pashai i Shkodres, i cili i porosit kundrra sipas modelit që punonte ustai. Pashait i pëlqyen dhe i kërkoi tua mësonte zanatin të tjerëve. Shtjefni pranoi. Ndërkohë e bindin të qëndrojë dhe të martohet me një shkodrane….”
Sic tregon At Gjon Karma ma sipër, takimi me Vezirin i ndryshoj Shtjefnit drejtimin e jetës. Ai pasi pranoj ofertën e punës të zyrtarit të naltë turk, ju përvesh punës për me prodhue
kepucët për të gjithë ushtarakët turq, tue hapë punishten e tij, ku për me perballue kërkesën e madhe, punësoj edhe disa shegertë. Për nji kohë të shkurtë, Shtjefni u miqësue me popullin e Shkodres prej të cilëve njihej si
“Mjeshtri Vjenez”. Ai ishte njeri i urte, dhe me ide perparimtare e laike. Krahas punës me “kundrat” ai filloj të punonte me kambengulje për me mësue gjuhen shqipe. Ndërkohë ai martohet me Antonian, vajzën e Ndoc (Ton) Shirokës qi ishte bir i një familje qytetare shumë
të njohtun shkodrane. Ndoci, i cili ishte kontakti i parë i Shtjefnit në Shkoder, e pat pranue atë në shtëpinë e tij dhe e pat trajtue si pjestar të familjes.
Nga cifti Shtjefen e Antonia (Tonja) lindën gjashtë fëmijë, tre djelm e tri vajza: Gjoni, Katerina, Francesku, Angjelini, Roza dhe Amalia. Prej tre djemve te vjenezit Ingris, Gjoni dhe Francesku u martuen, ndersa Angjelini vdiq beqar.
Duhet thanë që Shtjefni në mes të klientëve, që ishin edhe miq e shokë të tij, pat edhe figura të njoftuna të qytetit. Mund të përmendi këtu miqësinë e tij me piktorin shumë të njohtun Ndoc Martini, prej të cilit ka edhe nji portret me laps karboni. Portreti i vjenezit Shtjefen
Ingris, qi u gjet në familjen Ingris në Shkoder, sipas piktorit Kujtim Buza, asht i punuem me një teknikë të vecantë të panjohun deri atëherë, në letër vizatimi me dimensione 40 x 50 dhe i perket vitit 1901.
Mbasi veprat e piktorit Ndoc Martini janë të pakta, me kambënguljen e Kujtim Buzës, ky punim u dërgue për ekspozim në galerinë e arteve në Tiranë, ku ndodhet dhe sot.
Shtjefen Ingris – i riu
Një figurë tjetër e randësishme e familjes Ingris, që trashigoj mjeshtrinë, sharmin dhe famën e gjyshit, të cilit i mori edhe emnin, ishte SHTJEFEN Gjon INGRIS, Shtjefni i dytë ose i riu, i cili
edhe pse i martuem nuk la trashigimtarë. Shtjefni i ri, vazhdoj trashigiminë e familjes, tue i dhanë nji hov të ri zejtarisë në prodhimin e këpucëve.
Ai mbasi mbaroj filloren dhe shkollen tregtare në Shkoder, vazhdoj mesimet për mekanik në Itali / Venecia, ku punoj si mekanik në kantierin e portit detar. Shtjefni fliste dhe shkruante mirë në italisht, frengjisht e gjermanisht. Ai u kthye në atdhe për me vazhdue, mbas të atit
Gjonit, drejtimin e punishtes së këpucëve. Në historikun e lëvizjeve demokratike në Shkoder, emri i Shtjefen Ingris – i riu, qysh në moshen 20 vjecare ishte shumë aktiv dhe njihet si
themeluesi (së bashku me një grup veprimtarësh dhe shokësh) në vitin 1902, të grupimit të parë të organizuem të zejtarëve me emnin “SHOQNIA NDIHMETARE”, qi ishte shkëndija e parë e një levizje të organizueme sindikaliste.
Ky grupim zejtarësh dhe patriotësh shkodranë, ndër to: Gjon Gajtani (kpuctar), Lazer Gurakuqi (shkrues), Kol Maca (fotograf), Kol Bianku (kovac), Pashko Toska (marangon),
Gjon Nika (kovac), Gaspër Ashta (kovac), Shtjefën Ingris (kpuctar), Mati Logoreci (msues), etj, organizuen kremtimin e festës së 1 Majit, për të parën herë në Shqipni, në vjetin 1905.

Mbas shpalljes së pamvarsisë, me fillimet e para të shtetit shqiptar në vitet 1913 – 1916, Shtjefën Ingris i riu ishte një sindikalist i njohtun dhe inisiator i organizimit të zejtarëve dhe punëtorëve, tue reformue Shoqninë Ndihmëtare, tue përfshi në këtë lëvizje shumë elementë të ri përparimtar.
Ai i organizonte mbledhjet e shoqnisë së punëtorve, të komisionit organizator, në shtëpinë e tij. Me rritjen në numër të anëtarve të Shoqnisë Ndihmëtare të Punëtorve, u ndie nevoja e krijimit të nji statuti apo rregullorje dhe nji programi afatgjatë.
Për këtë, rreth 400 anëtar të Shoqnise u mbodhën në nji nga klasat e shkollës “Parruca” në Shkoder dhe aprovuen statutin / programin e tyne. Duhet theksue që në program u vendos pranimi i anëtarëve pa dallim feje, ndërkohë që në Shkoder populli ishte i percarë.
“Punëtoria e Shkodrës, tue pa se nevojat e tyne bahen ditë për ditë ma tëmdhaja, e se gjithnji si zanatet si puntorët janë në teposhte, njohim punëfare njerzore e qytetnore me u mbledhë në nji shoqni ndihmëtare tëpuntorisë, per me u ba ballë së bashku të vështirave të
jetës, e me permirsue gjendjen e vet si ekonomikisht si moralisht, tue i dhanë doren shoqishojt në tana mjetet e mënyrat që të munden”. Kështu fillon Statuti / Rregullorja e Shoqnisë Ndihmëtare të Puntorëve, një eveniment shumëpërparimtar për kohën.
Statuti i Shoqnisë ishte një kod i vërtetë pune, për mbrojtjen e punëtorëve:
Art. 1 – Asht ngrehë ndërmjet të puntorive të Shkodrës nji shoqni me emën “SHOQNIJA NDIMTARE E PUNTORISE SE SHKODRES”, me këto qëllime:
Art. 2 – Me i ndihmue shokve të vet, ndër rasa qi smuhen ose vriten tue punue, ashtu qi mos ti mungojë mjeksia e barnat.
Me ngrehë ma vonë, kur financa të gjindet e zoja, nji kashe uhaje për me mujte me i ba ball të vështirave ndër rreziqe.
Me pasë nji zyrë të veten, për me mujtë me gjetë e me vendue në punë.
Me i dhanë shkas istrutionit e qortimit të shokve e fmive tyne, për me u përmirsue si zanatë, si tanë gjendja e mbarë puntorisë.
Të gjithë anëtarët e Shoqnisë, numri i të cilëve u rrit në 800, u paisën me triskat e Shoqnisë dhe merrshin pjesë aktive në organizimet e ndryshme shoqnore. Aktiviteti sindikalist i Shtjefnit vazhdoj deri sa doli në pension.
Për ta nderue veprën e aktivitetin e tij, ai u ftue dhe u vendos në vend nderi në Kongresin e parë të Sindikatave Shqiptare. Vdiq dhe u përcoll me nderime, nga i gjithë populli i Shkodres,
në vitin 1956. Në kremtimin e 50 vjetorit të Pamvarsisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor e dekoroj Shtjefen Ingris / të riun, me URDHERIN E LIRISE të Klasit III-të, për veprimtari patriotike.
Si pioner, qi bani hapat e parë për organizimin e punëtorëve, emni i Shtjefnit zen një vend nderi në historinë e krijimit të lëvizjes punëtore në Shqipni. Në librin “Kronikë e lëvizjes punëtore e sindikale në Shqipëri” të autorit S. Adhami shkruhet: ….
“Qysh në 1902, Shtjefni me shokët e vet themeloi “Shoqërinë e punëtorëve” që kishte karakterin e një shoqërie ndihmëtare të punëtorëve. Të gjitha shoqëritë e tjera punëtore që u
formuan me vonë, ashtu edhe grevat e aktivitetet e tjera që u zhvilluen në mënyrë t´organizuar nga elemente më të përparuar të klasës punëtore të Shkodres, janë të lidhura me emrin e Shtjefën Ingris-it.”
Sot, familja Ingrisch / Ingris, e ardhur nga Austria rreth 200 vjet ma parë, asht ndër familjet e njohuna, të nderueme dhe me kontribut të madh për Shkodren.
Vjene, me 3.10.2017

- Advertisement -

TE FUNDIT