16.5 C
Tirana

Kryetarët e bashkive s’kanë atribute për të ushtruar forcë, do të denohen për dhunim të zgjedhjeve

VENDI

Nuk kanë atribute për të ushtruar forcë Kryetarët e bashkive në një vend normal. Nëse do të kalojmë në një nivel barbarie ku të gjithë tregojnë forcë, atëherë vijmë te ajo që quhet “bellum omnium contra omnes” që do të thotë: “Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”.
Gjithkush merr atributet e forcës. Atributet e forcës në një shtet ligjor i ka vetëm Policia e Shtetit, që ka monopolin për ta ushtruar forcën në bazë të ligjit.
Pra Kryetarit Shameti, dua t’i them këtu, meqenëse e përmendët emrin, që duhet ta heqë nga fjalori forcën, sepse forca nuk është në duar të kryetarëve të bashkive apo të qytetarëve.
Forca është vetëm në duar të Policisë së Shtetit për ta ushtruar kundër krimit. Kaq.
Sa i përket ndërhyrjes apo tentativës tek-tuk të ndonjë kryetari bashkie, dua të them se afati i mandateve të kryetarëve të bashkive mbaron tani. Ka një afat 4-vjeçar për të ushtruar funksionet. Nëse ky afat mbaron është absurde, është paradoksale të mendojmë që një kryetar bashkie del dhe lufton me forcë për zgjatur arbitrarisht afatin ose mandatin e tij.
Ai duhet të lëshojë mandatin dhe duhet t’u hapë rrugë zgjedhësve që ata të vendosin për atë apo për një tjetër përmes zgjedhjes. Kjo është ajo që mund t’i them atij dhe të tjerëve.
Sigurisht që duhet të jenë të qartë që forcë nuk mund të ushtrohet sepse është kundër ligjit. Dalin përtej ligjit po të përdorin forcën.
Kam rastin t’i ftoj që të kthjellohen dhe të afrohen tek ligji, sepse në qoftë se do të ushtrojnë veprime të pamenduara dhe jo në përputhje me ligjin, do të ballafaqohen vetë me të.
Pasojat do të jenë ato që ligji parashikon për dhunuesit e zgjedhjeve, aq më tepër kur këta janë të veshur me pushtet.
Pyetje Nga kush kërcënohet siguria e kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe a keni pasur një takim me truprojën e tij në zyrën tuaj?
Ministri Lleshaj: Siguria e Bashës, nuk kam ndonjë informacion që rrezikohet. Sigurisht jam vënë në dijeni dje të një letre që janë shtruar dhe disa pyetje, por nuk kam informacion që siguria e Bashës të jetë e kërcënuar në mënyrë specifike.
Pyetje Çfarë masash do të merren në lidhje me debatet dhe tensionet që po ndodhin në KZAZ-të e vendit?
Ministri Lleshaj: Në KZAZ e vendit po zhvillohet puna normalisht. Ka patur tentativa në disa raste të shkëputura të individëve të caktuar, kryetarëve të bashkive aktualë, si rasti i Selenicës, të cilët kërkojnë të zgjasin, përmes dhunës dhe arbitraritetit, mandatin e tyre që ndërkohë po mbaron.
Eshtë një opsion i pamundur që kryetarë të caktuar bashkie, të cilëve u ka mbaruar mandati, të pengojnë rizgjedhjen e të tjerëve.
Pyetje Si do të jetë ndërhyrja e policisë në rast se në 30 Qershor do të kemi ashtu siç ka paralajmëruar PD-ja në fakt, opozita, ndërhyrje për të mos lejuar qytetarët të cilët do të zgjedhin bashkiakët?
Ministri Lleshaj: Reagimi i Policisë është i paracaktuar nga ligji. Policia është e detyruar që në funksion të kërkesave përkatëse të autoriteteve që administrojnë zgjedhjet, të ndërhyjë në ato raste ku është e nevojshme të ndërhyhet.
Unë prapë besoj që me gjithë thirrjen dhe retorikën e ndezur politike që po përdor një pjesë e opozitës jashtë-parlamentare për të penguar procesin zgjedhor, unë besoj që ai do të zhvillohet plotësisht në rregull ashtu si e kërkon kushtetuta dhe ligji, për arsye se masat janë të marra plotësisht dhe për arsye se qytetarët shqiptarë kërkojnë që të ushtrojnë të drejtën e tyre.
Qytetarët e këtij vendi nuk mund të pranojnë dhe nuk pranojnë në krye të bashkive të vendit, qytetarë që u ka mbaruar mandati. Do të zgjidhen të tjerë, kaq e thjeshtë është kjo.
Pyetje Z. Lleshaj, ka një letër nga Gazmend Bardhi që ju është drejtuar juve për sigurinë e z. Basha madje është folur edhe për një takim tuajin me truprojat e z.Basha. Janë të vërteta këto fakte apo jo?
Ministri Lleshaj: Cilat fakte?
Pyetje: Ka një letër të z.Gazmend Bardhi…
Ministri Lleshaj: Po letra është bërë publike, atë e keni në gazetë. Eshtë e vërtetë që ka patur një letër, të cilën ende nuk e kam lexuar.
Ndërsa sa i përket takimeve të mia, patjetër që unë takoj shumë njerëz. Puna ime është të takoj oficerët e Gardës, oficerët e Policisë, me këtë punë merrem gjithë ditën, takoj oficerë të Gardës edhe të Policisë sepse këtë punë kam.
Pyetje Z. Lleshaj, jashtë politikës, për sezonin turistik. Vlora ka pasur një mbarëvajtje vitin e kaluar në sistemin e kufirit, të mjeteve ujore, por ashtu edhe të rendit këtë vit. Por, duke pasur parasysh që numri i turistëve të huaj sa po vjen dhe po rritet, kemi parë që është nevoja e efektivëve që të flasin gjuhë të huaja, sidomos anglisht. A do të ketë një plan për sezonin turistik për rritjen e këtyre efektivëve?
Ministri Lleshaj: Keni kapur një pikë shumë sensitive në fakt dhe shumë të rëndësishme. Sigurisht që do të ishte e mira që Policia e Shtetit të jepte përgjigje me kapacite të duhura edhe në sezonin turistik në aspektin e komunikimit, për arsye se të gjithë turistët që frekuentojnë plazhet ose Shqipërinë kanë nevojë për komunikim dhe pengesa e para që i drejtohen është policia.
Ne po bëjmë përpjekje, por megjithatë them që këtu nevoja për përmirësim është shumë e madhe. Dhe këtu gjej rastin për të bërë një thirrje publike për të rinjtë e këtij vendi, të cilët duhet të afrohen për t’u bashkuar me Policinë e Shtetit.
Nuk mund ta ndërrojmë nivelin e anglishtes për oficerët e policisë për një javë apo për një muaj. Do kohë! Besoj e dini se sa kohë merr një gjuhë ta mësosh dhe ta përdorësh atë.
Ne po punojmë në kuptim afatgjatë për të shtuar kapacitetet e trajnimit në gjuhën angleze për oficerët e policisë në Akademinë e Sigurisë.
Së shpejti, do të kemi një ndërhyrje të rëndësishme në këtë Akademi duke shtuar kapacitete të dedikuara, pra duke shtuar laboratorë dhe mësues ose profesorë të gjuhës angleze në mënyrë që oficerët e policisë të dalin nga Akademia me një nivel të konsoliduar të gjuhës angleze.
Njëkohësisht për ata që janë, që shërbejnë tashmë në komisariatet e vendit do të ketë programe trajnimi në mënyrë që niveli i tyre të përmirësohet aq sa të arrihet një optimum që të mundësojë komunikimin me turistët. Po ashtu edhe në pikat kufitare në rastin e atyre që frekuentojnë pikat tona kufitare. Por është një çështje, e cila meriton përmirësim.
Pyetje Zoti Lleshaj dhe një pyetje e fundit. Sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike, ka informacione të pakët në zonën e Selenicës në fshatrat e Lumit të Vlorës ka kontrolle të përditshme, a jeni informuar për bimët që janë konstatuar?
Ministri Lleshaj: Sigurisht që jam i informuar, sepse kjo çështje përbën një prioritet të madh të punës së Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit tashmë është në kulmin e operacionit kundër çdo tentative për kultivim.
Në këtë kuadër kryhen operacione të rëndësishme nga toka dhe nga ajri, për të pamundësuar çdo tentativë.
Nuk po them që ka raste, ka tentativa, ka patur tentativa edhe në qarkun e Vlorës, por edhe në ndonjë qark tjetër. Por dua të them që niveli i impenjimit dhe i angazhimit të strukturave të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, është i tillë, i cili e bën të pamundur çdo tentativë për të kultivuar kanabis.
Sigurisht që mendjen e ndonjë të çarturi, i cili ende nuk ka kuptuar gjë ne nuk mund ta kontrollojmë, por dua t’i garantoj, t’i garantoj fort që çdo tentativë do të marrë ndëshkimin e ligjit. Dhe, duke filluar nga data 15 qershor, pjesë e përgjegjësisë nuk janë thjesht kultivuesit, por do të jenë edhe vetë strukturat e Policisë dhe strukturat e Pyjeve, të Bujqësisë, të Mjedisit e të tjera me radhë.
Pra të gjithë ato struktura të cilat kanë përgjegjësi për ta kontrolluar këtë territor, i cili duhet të jetë ashtu siç Zoti na e ka lënë, i bukur dhe në dispozicion të shqiptarëve për t’u përdorur për qëllime pozitive.
Faleminderit!

- Advertisement -

TE FUNDIT