12.5 C
Tirana

Kryeministri Rama lajmëron teknikat e reja të lëvizjes: Do të hapemi kudo, por jo njësoj në çdo qytet

VENDI

Qeveria shqiptare do të marrë masa të reja lehtësuese, por ato nuk do të jenë të njëjta për të gjithë vendin. Kryeministri Rama, në një videomesazh tha se kjo do të varet se sa rrezikshmëri paraqet secila zonë në vend.

“Virusi nuk ikën meqë ne rrimë mbyllur. Kur ne rrimë mbyllur, virusi nuk vret dot, por ai është aty pas derës tonë dhe sapo dalim, jemi të ekspozuar nga mundësia që ai të na godasë. Deri kur të dalë vaksina, mblidheni mendjen se duhet të jemi të vëmendshëm dhe se nuk duhet të shkelim më nga shtëpitë e njëri-tjetrit pa u zhdukur ky armik.

Por as nuk mund të mbyllemi dot pafundësisht pa gjeneruar më të ardhura për familjen kur kanë mbaruar kursimet dhe personat që mund të ndihmojnë, kjo është e papranueshme qoftë për një familje e qoftë për një shtet. Atëherë si i bëhet?

Do të hapemi me kujdes, do të hapemi kudo, por jo njëkohësisht dhe jo në të njëjtën masë. Ne hyjmë në grupin e vendeve më të suksesshme parimisht në dy faktorë: numri i të vdekurve për 1 mijë banorë, dhe numri i pacientëve në terapi intensive.

P.sh. në një zonë si Gjirokastra apo Dibra do të kemi më shumë lehtësim sepse rreziku është i ulët.

Por në Tiranë apo Krujë aktualisht zero lehtësim. Apo në disa qytete të tjera lehtësimi do të jetë i moderuar. Gjithçka do të varet se si do të shkojë situata në muajin maj.

Do të lehtësojë levizshmërinë në zonat me rrezikshmëri të ulët. Brenda disa bashkive mund të lehtësojmë shumë masat brenda perimetrit.

Po ashtu edhe fashat e orareve s’kanë pse të jenë njëlloj në të gjithë vendin. Në bazë të hartës së epidemisë, do të pilotojmë në disa zona me rrezikshmëri të ulët një lehtësim më të madh të masave”.

Kreu i qeverisë deklaroi gjithashtu se kufiri me shtetin fqinj, Greqinë do të hapet nga mesi i majit.

“Sot patëm një diskutim mbi strategjinë e fazës së dytë. Më parë u informoj se pas konsultimeve me miq dhe kolegë kam pasur një bashkëbisedim me kryeministrin grek për fazën e dytë. Diskutuam mbi rezultatet e deritanishme, strategjinë e testimit, lehtësimin e masave, planin e hapjes së sezonit dhe interesin reciprok për punësimin sezonal.

E falenderova me gjithë zemër mikun grek për ata punonjës sezonal që mbetën matanë kufirit, por nuk u trajtuan si shkelës të afateve. Dakordësuam që të shohim problemin e lëvizjes së punonjësve sezonale sipas kalendarit të fazës së dytë dhe për nevojën reciproke që ti çelet rrugë rreth mesit të muajit maj”.

- Advertisement -

TE FUNDIT