16.5 C
Tirana

“Katërshja” në luftë për ekzistencë! Reforma në drejtësi vetëm sipas modelit kroat e rumun

VENDI

Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se reforma në drejtësi në Shqipëri do të bëhet sipas modelit rumun dhe kroat. Në një intervistë të dhënë për emisionin “Java” në RTSH, Rama u shpreh i bindur për ta realizuar këtë,

 

por nga ana tjetër theksoi se ka orvatje nga Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi që ky proces të pengohet sepse e ndjejnë veten të rrezikuar. Sipas tij, për këtë arsye katërshja politike kërkon edhe luftë civile, por Rama nënvizoi se ata do të marrin kosto politike. Ai u shpreh i bindur se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor dhe se Meta do të shkarkohet.

 

-Zoti kryeministër jo më parë se një javë me parë ju keni thënë se jeni 3 hapa para të tjerëve. Gjithë kjo sa po ndodh, ishte parashikuar nga ju?

Më vjen keq të them po me aq sa po ndodh nuk ka asgjë surprizuese për mua. E kam ditur me kohë e me vakt se ecuria e reformës në drejtësi do të shoqërohej me një përshkallëzim të politikës destruktive. E kam ditur që zgjedhjet që kemi pas 10-12 ditësh do të ishin një përpjekje për të marrë peng procesin, në funksion të marrjes peng të Shqipërisë, duke krijuar një imazh që të mund të fusë në dilemë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, jo më pastaj ata skeptikët për zgjerimin e Evropës. Ky është një peshqesh i bërë nga vetë brenda Shqipërisë.

 

 

-Si çlirohet Shqipëria nga këta 4 njerëz?

Ky është një proces i orkestruar për të transferuar krizën nga një krizë mortale e brendshme e këtyre 4 personave, në një krizë të vendit, për hallin e këtyre katër individëve. Unë nuk di asnjë rrugë tjetër, përveç rrugës kushtetuese e të ligjit, përveç këmbënguljes në këtë rrugë.

-Ata thonë se mjafton të largohet kryeministri, dhe vendi del nga kriza…

Fatmirësisht nuk jemi në një kafaz ku jemi të mbyllur dhe mjafton të akuzojmë apo të këmbejmë opinione. Por jemi në një platformë të hapur, ku kemi një gjykatës suprem që është populli. Unë besoj që edhe teoria që të ikë ky dhe të shpëtojë Shqipëria, është e mjaftueshme për të kuptuar që nuk jam unë që duhet të iki, po është kjo frymë e vjetër e pengmmarrjes dhe e mbivendosjes së interesave të veta para atyre kombëtare që duhet të ikin.

-Jeni të vendosur për shkarkimin e presidentit?

Procedurat e shkarkimit kanë nisur dhe nuk do të ndalen deri në votimin e shkarkimit. Pastaj do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese që do të nxjerrë vendimin përfundimtar.

 

 

-Gjykata Kushtetuese nuk ekziston dhe formula e ringritjes së saj është e koklavitur. Kur do të ngrihet ajo?

Është një Gjykatë Kushtetuese e pastruar nga llumi që e kishte fundosur moralisht falë vetingut dhe që do të rikrijohet me kandidatura që do të vijnë për gjykim pasi të kenë kaluar vetingun. Është një zhvillim shumë i rëndësishëm dhe pozitiv dhe muajt e tranzicionit janë të pashmangshme.

-Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë nuk janë gjyqtarë karriere, por të zgjedhur nga Parlamenti. Çfarë përgjegjësie ndieni ju për cilësinë e tyre?

Zgjedhjet e bvëra në të shkuarën kanë qenë bazuar në një sistem vlerësimi që tani është shembur. Me këtë sistemin e ri, politika nuk mund të bëjë atë që bënte më parë sepse ata vijnë nga Këshilli i Emërimeve dhe politika nuk ka shans që të dalë jashtë asaj kornize.

-Qajsa juaj është ligjore, kushtetuese, por thelbi është që kriza është politike. E zgjidhin krizën zgjedhjet në 30 qershor?

 

 

Kriza nuk është politike, por është e një pjesë të politikës që është marrë peng nga 4 individë që kanë një krizë të brendshme me drejtësinë.

-Ky debat që ka dekada që bëhet që njerëzit duhet të ballafaqohen me drejtësinë. Kur do të vijë kjo ditë?

Kjo është reforma në drejtësi dhe faza e negociatave për të cilat këto po luftojnë me mish e me shpirt që të mos çelen sepse me çeljen e negociatave këta e dinë shumë mirë se fillon diskutimi mes Shqipërisë dhe BE për të negociuar anëtarësimin. Ka një numër të caktuar të të gjitha fushave, por dy kapitujt e parë që i vendosen Shqipërisë në tavolinë janë ato të drejtësisë. Dhe këto kapituj në këto fazë nuk do të ishin të njëjta nëse ne nuk do të kishim bërë reformën në drejtësi. Kjo është e përfunduar në masën më të madhe, thelbi do të jetë që dakord, ju keni bërë reformën në drejtësi, por neve na duhet që të na provoni që sistemi i drejtësisë funksionon si i barabartë dhe që ndëshkon këdo që shkel ligjin, nga më i madhi tek më i vogli, nga më i shkurti tek më i gjati. Zotërinjtë në fjalë e dinë shumë mirë sesi do të shkojë filmi.

-BE i dha kohë Shqipërisë për të bërë disa detyra dhe për ta zgjidhur krizën politike. Si do ta zgjidhni ju këtë krizë?

 

 

Vendimi ka një përmbajtje shumë pozitive. Negociatat duhet të ishin hapur. E gjithë kjo zallamahia qamiliste nuk ka influencuar në këtë qasje të BE. Kjo e acaron katërshen, ata do të bëjnë çmos që ta përshkallëzojnë sepse do të duan që çështjet politike të përfshihen dhe ata të shpërblehen dhe të kthehen në faktorë bllokues. Është një luftë që bëhet për ekzistencë nga këta persona, por shkon kundër interesave të Shqipërisë.

-Standardet demokratike janë këto që ju thoni, por opozita është jashtë sistemit dhe papërfaqësuar.

Opozita nuk është jashtë sistemit. Ajo është nxjerrë nga një udhëheqje që ka vendosur interesin e vet të lidhur me drejtësinë dhe pushtetin. Gabimet në politikë paguhen. Interesi i vendit kërkon që në 30 qershor të bëhen zgjedhjet dhe që këto gabime të paguhen dhe të mos kalojnë si të shkuara dhe të harruara siç ka ndodhur herë të tjera. Rruga e shkurtër na nxjerr edhe më gjatë dhe kjo histori duhet të mbarojë.

-Shenjat dje dhe sot janë shumë shqetësuese për të penguar procesin zgjedhor…

 

 

Janë orvatje të një grupi të dëshpëruar që nuk do të lënë gur pa lëvizur për të trazuar Shqipërinë dhe të pengojnë hapjen e negociatave. Mund ta arrijnë përkohësisht në tetor, por kurrë përgjithmonë sepse do të paguajnë për këto gabime politike në raport me njerëzit. Këta që p nxisin qytetarët dalin ende pa lagur dhe mua më vjen keq për ata që I ndjekin pas. Unë u bëj thirrje të gjithë atyre që jeni në të drejtën e tyre që të jeni opozitarë, por mos u bëni mish për top sepse ligji godet dhe ju humbisni. Nesër do të miratohen edhe ndryshimet në Kodin Penal në Parlament.

-Kush mban përgjegjësi për mosbërjen e hetimeve për përgjimet?

Dihet botërisht tashmë që është një shërbëtor famëkeq i Sali Berishës dhe një tjetër që është pastruar si i korruptuar dhe i çojnë në Gjermani për të treguar që këto i ka nxjerrë Gjermania, por kanë shkuar gati nga Shqipëria. Është bërë për të ushqyer opinionin e atjeshëm me gjëra që janë neveritëse dhe tronditëse, ku ka edhe gënjeshtra skandaloze, për të cilat unë do të kërkoj në gjykata gjermane deri në fund të vërtetën.

-A keni informacione për akte që cenojnë 30 qershorin? Për gjëra të rënda që mund të ndodhin?

 

 

Informacionet janë publike për të qenë të shqetësuar se deri ku shkojnë këta njerëz, por janë të mjaftueshme për të vazhduar dhe qëndruar deri në fund kundër kësaj valleje haxhi-qamileje.

-A keni konsideruar se do të duhet përfshirja e miqve ndërkombëtarë për të zgjidhur krizën?

Jo, shqiptarët duhet ta zgjidhin këtë vetë. Ata janë në një linjë, të qartë që procesi zgjedhor duhet të shkojë deri në fund dhe zgjedhjet duhet të bëhen në 30 qershor.

-Në zgjedhje ku në 31 bashki s’ka rivalë, për çfarë gare flasim?

Gara ka nisur përpara dhe ata që duhet të dilnin përballë janë tërhequr. Por kjo nuk është arsye që të tërhiqemi sepse kjo pastaj kthehet në një gjëegjëzë të përhershme dhe e bën çdo pakicë. Çdo opozitë mund ta bëjë këtë gjë. Mund të thotë më plotëso mua kushtet që të futem në garë. Prandaj ky është momenti për të prerë rrënjët e së kaluarës. Kundërshtari ka hyrë në një proces vetëshkatërrimi.

 

 

-A keni plan për zgjidhjen e krizës?

Kjo krizë është shtjellimi i një pani për të futur në krizë Shqipërinë dhe prandaj duhet mbytur nga populli.

-Tetori do të vijë shumë shpejt. Çfarë do të thoni nëse Shqipëria ngelet sërish, që e ka fajin opozita?

Këtë e dinë që të gjithë, të gjithë po shohin se kush e ka fajin, s’ka nevojë ta them unë.

-Ju keni përgjegjësi më shumë se opozita…

Prandaj unë jam i vendosur për të shkuar deri në fund. Fundi është duke e çliruar politikën nga kapja e hileqarëve dhe nga ata që Shqipërinë e kanë thjesht një shesh për të bërë përshesh. Nëse do të dorëhiqesha, do të fitonte kjo politikë, kjo qasje, kjo mbrapshti. Unë e bëra një lëshim 2 vjet më parë dhe nuk dha rezultat. Pse duhet të përsëritet? Kjo s’duhet të jetë rregull që sa herë ka zgjedhje të hidhemi përpjetë për të marrë gjysmën e qeverisë. Nuk e bëra atë për të fituar zgjedhjet sepse zgjedhjet ne i kishim të fituara duke qenë se opozita nuk futej në zgjedhje. Edhe miqtë ndërkombëtarë u dorëzuan edhe na thanë që futuni në zgjedhje, s’kemi çfarë bëjmë. Por unë nuk e bëra.

 

 

-A mund të ketë zgjedhje të parakohshme për të zgjidhur krizën?

Jo, zgjedhjet do të bëhen në 2021.

-Në Parlament nuk ka opozitë. Besoj se ju mungojnë Basha, Berisha…

Me ikjen e Berishës nga Parlamenti, politika ka fituar. Ikja e një gojëshqyeri që sakatonte sa herë që hapte gojën gramatikën dhe normat e shqipes, nuk është humbje, është një vlerë e shtuar.

-A i rrezikohet Shqipërisë rikthimi i vizave? Presidenti u shfaq i alarmuar…

Presidenti i Republikës është në një mision dhe misioni është i qartë. Ai po përdor zyrën e presidentit për të luftuar si bashkëkryetar i opozitës.

-Zgjedhja juaj…

Patjetër zgjedhja ime sepse nuk kishim vota për të zgjedhur një tjetër. Nesër do të votoj për shkarkimin e tij sepse ka shkelur rëndë Kushtetutën.

 

 

-Një votues shqiptar kur dëgjon presidentin dhe politikanët se vendi ndodhet në prag të konfliktit civil dhe rithirret 1997, jeni i shqetësuar ju?

Vendi po dëmtohet çdo ditë nga gjithë ky proces, por duhet t’i përballojmë këto dhimbje të një lindjeje të vështirë sepse përndryshe nuk dalim dot nga kjo histori për vite të tjera. E drejta e popullit për të zgjedhur në ditën që është zgjedhur nuk negociohet. Ata që nuk duan marrin kostot e tyre politike. Më vjen keq për ata shqiptarë që i ndjekin pas dhe iu bëj thirrje edhe një herë që të mos kthehen në mish për top. Këto janë përpjekje të njerëzve që s’kanë kuptuar akoma që shumica e shqiptarëve janë të vendosur kundër kësaj politike. Ata që i ndjekin këto parti, është mirë të mos bëhen mish për top i kësaj katërsheje. Nuk mund të shkosh në burg për Monika Kryemadhin. Nuk mund të privohesh nga e drejta për të dalë nga vendi për hatër të Ilir Metës, Sali Berishës, lëre pastaj të Lulzim Bashës. Kjo është serioze dhe kjo do të ndodhë. Unë po ju them që shiko se ky është krim.

-Edhe muajt e ardhshëm ne do të presim trazira?

Trazirat do të jenë sporadike dhe ata që i bëjnë do të shkojnë si cjapi tek kasapi. Por procesi do të vijojë dhe pas tij do të ketë procese të tjera.

 

 

-Opozita ka paralajmëruar një protestë tjetër të premten…

Ata do të bëjnë gjithçka është e mundur për të penguar Shqipërinë dhe goditur atë. Ata kanë një problem me kapitujt e drejtësisë. Ata thonë që nuk duam që ky vend të bëhet si Rumania, si Kroacia. Por duan, s’duan ata, edhe ky vend do të bëhet si ato vende. Unë e vura në program reformën në drejtësi dhe nga dita e parë deri më sot unë jam i vendosur dhe i palëkundur për këtë punë. Unë nuk kam frikë.

- Advertisement -

TE FUNDIT