Ishte shtruar me pneumoni, 85-vjeçarja nga Shkodra mposht koronavirusin, kthehet në banesë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar së fundmi se nënë Limja, një 85-vjeçare nga Shkodra ka fituar betejën me COVID-19. Ministrja sqaron se e moshuara ishte e shtruar në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” dhe vuante edhe nga disa sëmundje bashkëshoqëruese, por e ka mundur virusin.

PUBLICITET

 

“Nënë Limja, 85-vjeç nga Shkodra, e shtruar në gjendje të rëndë në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi” me pneumoni dhe disa sëmundje bashkëshoqëruese, ja ka dalë të shërohet nga #COVID19 falë përkushtimit dhe punës së palodhur të spitalit #COVID2 ✅
85-vjeçarja sot ka lënë spitalin dhe është kthyer pranë familjes. 10 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, 605 të shëruar nga fillimi i epidemisë.”, shprehet ministrja në një postim në Facebook.

 

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije ditën e djeshme se numri total i të infektuarve ka shkuar në 842 dhe se deri më tani janë shënuar vetëm 31 viktima. Harta është zgjeruar me 2 të infektuar në Kamëz, 3 të infektuar në Krujë, 2 të infektuar në Shkodër dhe 3 të infektuar në Tiranë. Numri i të shëruarve ka shkuar në 605. Ndërsa, në dy spitalet COVID, në spitalin Infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 38 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive.

PUBLICITET