10.5 C
Tirana

Ikja e një Mjeshtri të Madh dhe vetmia e shokut të tij më të mirë që lë pas…!

VENDI

Është ligj i jetës! Kush vjen në këtë botë, një ditë do të ikë prej saj. Kështu ndodhi edhe me Gëzim Krujën. Sëmundja që e mundonte prej disa kohësh, nuk e la të qëndronte më mes nesh fizikisht.

I përkas brezit që jemi rritur me imazhin e humorin e Gëzim Krujës. Sidomos para vitit 1990, artistët që hynin në shtëpitë tona përmes televizionit kryesisht fundjavave me “Variete” ose kur ne hynim në “shtëpinë” e tyre Teatrin “Migjeni”, ishin takimet më fatlume mes palëve.

Pas këtij viti, më të respektuarit nisën të ishin pasanikët e rinj. Nuk dinin të lidhnin dy fjalë, por xhepat e fryrë nga paratë, u jepnin një pozicion të privilegjuar në Shqipëri. Ata që ushqenin shpirtin me artin e prodhuar nga vetja e tyre, duhej të përshtateshin. Jo pak morën dhe po marrin për ditë rrugët e kurbetit. Të tjerë u detyruan të nisin “punë të dytë” për të mbijetuar në kapitalizëm… Kështu e ka jeta…në Shqipëri!

Sot Gëzim Kruja, nëse do të ishte në një vend perëndimor, do të duhej të ishte miliarder në lek apo milioner në euro. Nisi rrugën e aktrimit që 13 vjec dhe e vazhdoi deri para pak kohësh. Pra, më shumë se 60 vjet aktivitet. Dhe jo aktivitet dosido, por i njohur brenda e jashtë kufijve të Shqipërisë.

Por shkodranët e dinë e shqiptarët e mësuan para disa kohëve, se Gëzim Kruja “vrapon” nëpër Shkodër hipur mbi biçikletën e tij, mikun më të pandarë që e shoqëroi për aq kohë sa ai mund ti jipte. E tregonte jo pa krenari, e mbante pranë vetes edhe kur ulej në kafe, e mbante për dore kur lëvizte nëpër qytet dhe shprehej me humor “ky është Benzi im”. Së bashku me legjendën tjetër Zyliha Miloti, Gëzim Kruja me biçikletën e tij, u bë personazh edhe në mediat kombëtare. Ndoshta një ditë, Gëzim Kruja dhe biçikleta e tij e pandarë, mund të jenë të përjetësuar në një nga rrugët, sheshet apo lulishtet e Shkodrës.

Nga sot, Mjeshtri i Madh nuk është më mes nesh. I bashkohet yjeve të tjera atje sipër, në teatrin e madh të pavdekësisë. Këtu poshtë la mijëra skeçe, role, minuta interpretimi që do ta mbajnë gjithmonë mes nesh. Por këtu poshtë la edhe pikëllim! Po na ikin një nga një, pa u ndier dhe duke lënë pas vetëm vende bosh.

Po ikin të parespektuar siç e meritojnë nga ky shtet, e Gëzim Kruja fatkeqësisht, në një kohë kur nuk mund ti bëjmë as nderimet e merituara.

Kështu e ka jeta! Lum ai që si Gëzim Kruja, krijon gjatë jetës pasuri dhe ua shpërndan barabar të gjithëve kur largohet! Ky është privilegji i artistëve të mëdhenj!

Lamtumirë Gëzim Kruja! /Nga Blerti DELIJA/

- Advertisement -

TE FUNDIT