Hysni Shkjau e humb “betejën”, mjeku i dytë që ndërron jetë nga COVID-19

Ndërron jetë mjeku i dytë nga koronavirusi në Shqipëri. Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta mjeku Hysni Shkjau, 69 vjeç, i cili vinte nga qyteti i Pukës.

PUBLICITET

 

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Shëndetësisë me anë të një njoftimi zyrtar, e cila ka bërë me dije se Shkjau kishte 40 vite eksperiencë, dhe se së fundmi shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore të Qafë-Malit në Bashkinë e Fushë-Arrëzit në Pukë.

 

Gjithashtu ministria ka bërë me dije se mjeku prej disa kohësh po luftonte me koronavirusin në spitalin Infektiv edhe për shkak të vështrirësive në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.

 

NJOFTIMI I PLOTË:

Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta këtë mëngjes të dr. Hysni Shkjaut, i cili nuk e fitoi dot betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të stafit të infektivit për kolegun e tyre.

 

Dr. Hysni Shkjau, 69-vjeçar, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës. Luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.

 

Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime famljarëve, miqve dhe kolegëve. Është një humbje e madhe për sistemin shëndetësor, humbja e një mjeku që i ka shërbyer me përkushtim e profesionalizëm për 40 vite komunitetit të tij. Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve të mos e ulin vëmendjen për zbatimin e rregullave, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm që prek këdo, pa dallim!

 

Mjeku bëhet i dyti nga bluzat e bardha që ndërron jetë nga pandemia. I pari ishte mjeku hematolog, Arjan Pushi. Ndërkohë bilanci me shifrat është rënduar sërish në vend pasi numri në total i viktimave ka shkuar në 77 persona.

PUBLICITET