Ajo që mendohej si një epope e përgjakur për ndryshime ka zgjatur katër ditë dhe është kurorëzuar pa asnjë viktimë” – Preç Zogaj
Unë e them me bindje se deri në mars të vitit 1991, revolucionin në Shqipëri e kanë drejtuar komunistët dhe bijtë e komunistëve… S’e kam përjashtuar asnjëherë mundësinë e përfshirjes së R.Alisë në lëvizjet demokratike… Në mesin e vendimeve që ai mori… ishte edhe rrëzimi i bustit të E.Hoxhës… Ne e morëm fitoren në tavolinë, akti juridik ishte akt formal Arben Meçe, ish-anëtar i kryesisë së PD
Tani, që kanë kaluar shumë vjet nga ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri, kur dëgjon njeriu se çfarë shkruhet e thuhet rreth atij momenti historik, mbetet pa mend. Mbetet pa mend njeriu të cilin ai moment e pati gjetur në moshë madhore dhe të aftë të kuptojë ngjarjet e proceset dhe jo individi që s’kishte lindur, ai që ishte fëmijë, apo individët madhorë lehtësisht të gënjyeshëm e të manipulueshëm nga ata që nuk iu intereson e vërteta.
Po të dëgjosh sot ata, të cilët, me antikomunizmin e tyre të vonuar dhe fals, arritën të ngjitin majat e pushtetit politik dhe me sjelljet dhe drejtimin e tyre u sollën shqiptarëve një karikaturë të shtetit demokratik, të krijohet ideja se bëhet fjalë për një epope si ato që përshkruan Homeri në veprën e tij apo si ndeshja biblike midis Davidit e Goliathit a, ndoshta, si ndeshja midis Gjergj Elez Alisë dhe Bajlozit, pjesë e Epikës sonë.
Kur njeriu i sotëm lexon apo dëgjon këto tregime, rrjedhimisht nis e mendon për protagonistët e saj apo për “heronjtë” e asaj që quhet Lëvizja e Dhjetorit. Duke menduar për ta, të lindin vetvetiu pyetjet se kush ishin ata, si dhe pse u ndodhën aty, çfarë bënë që dolën fitimtarë etj. Veç këtyre, njeriu bëhet kurioz të dijë se cilat ishin palët e “betejës”, çfarë mjetesh dhe armësh përdorën, sa zgjati beteja dhe cili ishte bilanci i viktimave të dyanshme.
Mirë do të ishte që të kishim në dorë shumë dokumente e dëshmi, të brendshme e të jashtme, të hapura e të fshehta, në mënyrë që të krijonim një tablo më bindëse për atë që pati ndodhur ato kohë. Ky, ndoshta, do të jetë privilegj i brezave të ardhshëm, kështu që ne jemi të detyruar të operojmë me aq sa dimë dhe aq sa kemi.
Viti 1990 e gjeti Shqipërinë të stërlodhur ekonomikisht dhe të dëshpëruar moralisht e psikologjikisht. Sistemi politik komunist, për arsye objektive dhe subjektive, të brendshme dhe të jashtme, jo vetëm nuk kishte sjellë gjithçka kishte premtuar, por kishte sjellë edhe shumë dëme, në mënyrë të veçantë me zhvillimin e një lufte klasash deri në absurditet, kishte shkaktuar pakënaqësi, ndasi ideologjike dhe urrejtje të përligjur.
Udhëheqësi kryesor komunist, Ramiz Alia, kishte arritur të kuptonte se, donte apo nuk donte ai dhe kasta udhëheqëse, sistemi politik 45 vjeçar ishte kalbur dhe i kishte ditët të numëruara. Nuk diskutohej fakti nëse do të binte apo jo ai sistem, por vetëm mënyra e rënies ishte e panjohur. Në këto kushte, duke konsideruar situatën e brendshme dhe të jashtme, forcat pro ndryshimit dhe ato kundër tij, Alia vendosi me mendjen e tij se ishte më mirë ta udhëhiqte ai ndryshimin (me përmbysje të sistemit ekzistues) sesa ta merrnin të tjerë në dorë një veprim të tillë. Do të ishte më mirë, së pari, për atë vetë dhe kastën udhëheqëse, por edhe për popullin shqiptar.
Në atë kohë Shqipëria i ngjante një tenxhereje të madhe me presion ku, ose do të hapeshin pak nga pak valvulat e shkarkimit, ose do të shpërthente duke vrarë, së pari “kuzhinierët” e pastaj edhe të tjerë për rreth. Duke e ditur se përballë nevojës për ndryshim, që kishte konsensusin e shumicës dërmuese të popullit, ndodheshin edhe një pjesë jo e vogël, qeverisëse ose jo, e cila, ndonëse donte ndryshime, nuk i pranonte ato deri në ndryshim të sistemit politik, Alia vendosi të ndërmarrë disa masa, as komuniste dhe as kapitaliste, që do të ndikonin në zbutjen e gjendjes së acaruar.
Valvula e parë ishte në fushën ekonomike e cila kishte të bënte me të quajturat “arëza dhe tufëza” që synonte zgjerimin e pronës private, por pa iniciativën e mirëfilltë të ekonomisë së tregut. Valvula e dytë ishte në fushën politiko-juridike. Alia dhe shteti i tij bënë dy amnisti, në 1986 dhe 1989, ku përfshinë edhe shumë të dënuar politikë të regjimit. Menjëherë pas kësaj, në pranverën e vitit 1990, abroguan nenin e agjitacionit dhe propagandës, brejtës i jetëve të shumë shtetasve dhe familjeve shqiptare, si dhe nenin e tradhtisë ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit duke e zëvendësuar me “kalim të paligjshëm kufiri.
Pak nga pak, Alia po kuptonte se ishte shumë më e lehtë të ndryshoje ligje e nene se të ndryshoje mendjet e njerëzve. Valvulat duheshin hapur pak nga pak por askush nuk mund të parashikonte se çfarë do të ndodhte kur të hapej “kapaku”. Propaganda kishte qenë mjet i rëndësishëm për të mbajtur në këmbë regjimin. Ky mjet mund të përdorej edhe për ta rrëzuar atë. Në 29 dhe 30 prill 1990, në gazetën Zëri i Popullit” u botua një shkrim me titull Në kërkim të kohës së humbur. Autori ishte Ylli Popa, mjek i udhëheqjes komuniste dhe anëtar i partisë në pushtet.
Shkrimi u botua në gazetën kryesore politike, e cila ishte organi i Komitetit Qendror të PPSH. Shkrimi la shumë lexues pa mend, qoftë për faktin se ishte shkrimi i parë që sulmonte në themel sistemin politik, qoftë se botohej në gazetën e partisë, domethënë të pushtetit. Është njëlloj (madje më keq) sikur të botohet sot në gazetën “RD” një shkrim që hedh poshtë Sali Berishën dhe sundimin e tij të gjatë.
Dikur regjimi komunist i kishte burgosur njerëzit për mendime të tilla, të shprehura qoftë edhe dy-tre personave të tjerë. Po tani çfarë ndodhi? Jo vetëm që autori nuk pësoi asgjë, por filluan të japin intervista në radion “Zëri i Amerikës” disa intelektualë si Gramoz Pashko e Fatos Nano (ata flisnin për të mirat e ekonomisë së tregut, por jo haptas kundër regjimit të Tiranës) dhe disa të tjerë si Sali Berisha filluan të shkruajnë në gazetat e tjera shqiptare, duke kërkuar një frymë më liberale, por pa e atakuar sistemin. Të gjithë shkruesit apo folësit ishin anëtarë të partisë në pushtet.
Ndërkohë, në Shkodër kishte pasur një tentativë të dështuar të disa njerëzve për të rrëzuar bustin e Stalinit. Regjimi e kishte evituar dhe pastaj e kishte hequr vetë, ashtu siç do të vepronte edhe me shtatoret e Leninit dhe Stalinit në Tiranë.
Në maj 1990 vjen në Tiranë Havier Perez de Kuejar, Sekretar i Përgjithshëm i OKB. Udhëheqësi komunist Alia, ndër të tjera, i premton se “Do të vazhdojmë me reformat dhe nuk do të ketë kthim mbrapa….”. E thënë shqip, kjo po i thoshte Perëndimit se po i heqim një nga një gurët e sistemit por na nevojitet edhe durimi juaj. Në 2 korrik 1990, një numër i konsiderueshëm njerëzish hynë forcërisht në ambasadat perëndimore në Tiranë.
Pas pak kohësh qeveria komuniste i pajisi me pasaporta dhe, pas marrjes së vizave në ambasadat ku ndodheshin, u transportuan me autobusët e shërbimit publik deri tek avionët apo tragetet dhe mbërritën në destinacionet e dëshiruara. Për të qetësuar mbështetësit e regjimit dhe për të mos lejuar të vazhdonte epidemia, regjimi organizoi në Tiranë një miting grotesk, ku i konsideroi të larguarit “tradhtarë” dhe theksoi pathyeshmërinë e regjimit.
Në këto rrethana, Alia vendosi të testonte intelektualët kryesorë në Tiranë. Për këtë qëllim, në gusht 1990 thirri një takim me rreth 100 prej tyre dhe, pasi diskutoi me ta për problemet shqetësuese të vendit, doli atje ku deshi, duke i pyetur se çfarë mendonin ata për pluralizmin politik. Është interesante të vihet në dukje qëndrimi i tre prej tyre. Ismail Kadare tha se ai nuk merrte vesh nga këto punë dhe iu shmang shprehjes së mendimit të vet.
Mjeku dhe sekretari i byrosë së partisë për mjekësinë e Tiranës, Sali Berisha, tha se ishte dakord për pluralizmin e mendimeve por “mendoj se Shqipëria nuk është ende e përgatitur për pluralizmin politik”. (Takimi është i regjistruar në audio dhe video). I vetmi që tha se “Nuk ka ndonjë gjë të keqe edhe pluralizmi politik, pasi edhe Marksi e pranon ekzistencën e më shumë se një partie…” ishte Luan Omari, nipi i Enver Hoxhës, babanë e të cilit regjimi komunist e kishte pushkatuar në vitin 1945 si bashkëpunëtor të pushtuesve gjermanë.
Do të jetë mërzitur shumë Alia me këta intelektualë që “nuk po i jepnin dum” lojës së tij dhe prandaj duhet të ketë menduar se duhej një artific. Duhej krijuar një situatë e atillë që t’iu thoshte përkrahësve të regjimit se “Ja si vajti puna, nuk kam çfarë bëj tjetër, nuk mbahet më….” dhe, nga ana tjetër, ata ta pranonin si të domosdoshëm qenien e tij në pushtet.
Pasi bëri një vizitë në OKB në shtator 1990 dhe u trajtua shumë mirë nga pritësit, Alia lejoi edhe ushtrimin e riteve fetare që ishin ndaluar qysh në vitin 1967. Në nëntor 1990 u mbajtën në Shkodër ceremonitë fetare nga klerikët e të dy feve, krishtere dhe myslimane.
Kjo kronologji e ngjarjeve na jep mundësi të qartësojmë faktin se “Lëvizja e Dhjetorit” nuk ishte rastësi, as episod, por hallkë e zinxhirit të veprimeve që ndërmorën një grusht njerëzish në kupolën e udhëheqjes politike për të realizuar shuarjen e regjimit komunist dhe zëvendësimin e tij me atë kapitalist. Ka shenja të besueshme dhe kanë qarkulluar informacione se kupola e udhëheqjes ka përdorur shërbimin e fshehtë shqiptar dhe është instruktuar nga të huajt, por kjo kërkon hulumtime.
Dhe, tani më duhet të sjell ato fakte, të ditura ose jo, që krijojnë bindjen se gjithë procesi i kalimit nga njëri sistem politik në tjetrin, ka qenë i trukuar dhe i dirigjuar.
Në 8 dhjetor 1990 në godinat e Qytetit Studenti në Tiranë, një dorë e padukshme fiku disa herë dritat duke acaruar banorët përkatës. Pasi studentët dolën fillimisht nëpër dritare dhe ballkone duke bërtitur, disa “të panjohur” iu bënë atyre thirrje të dilnin jashtë godinave dhe të protestonin. Pas pak kohe, numri i studentëve u rrit dhe kërkonte të zbriste gjatë rrugës së Elbasanit, por u ndalua nga policia.
Pasi nxorën disa “përfaqësues” studentët kërkuan takim me udhëheqësin komunist Ramiz Alia. Takimi u mundësua dhe përfaqësia e studentëve iu ankua kreut komunist për kushtet e jetesës dhe të ushqimit si dhe i kërkoi që të bëheshin ndryshime në kupolën udhëheqëse komuniste, tashmë të plakur dhe të diskredituar. Kjo kërkesë e fundit ngjante si “e mbjellë” qysh më parë dhe fshehtas nga vetë Alia, pasi ndihej në hall me disa nga ata që e rrethonin, të cilët nuk u kishte shkuar në mendje dhe as e dëshironin daljen në pension.
Në takimin me studentët, kur këta i shprehën idenë e krijimit të një organizate tjetër rinie apo edhe të një Shoqate të Studentëve dhe Pedagogëve të Rinj, Alia ndërhyri dhe me mjeshtëri i udhëzoi: “Do të thosha se për të mirën e atdheut dhe të popullit është më mirë të krijoni një parti politike….”.
U ra dakord që kjo të bëhej dhe pasi Alia të mblidhte KQ të PPSH do iu kthente përgjigje. Alia e mblodhi menjëherë organin më të lartë politik partiak. Është shumë interesante dhe domethënëse se, nga njëqind të pranishëm, vetëm dy anëtarë votuan kundër pranimit të pluralizmit politik. Të tjerët votuan për lejimin e tij.
Të pranoje pluralizmin politik donte të thoshte të pranoje dorëzimin e pushtetit. Po të krahasosh këtë qëndrim historik me atë që mbajti i njëjti organ, por në këtë rast i PD-së, në mars 1997, kur Shqipëria ishte në buzë të greminës, mbetesh pa mend nga diferenca e madhe, në ndërgjegje dhe përgjegjësi kombëtare, midis drejtuesve të diktaturës dhe atyre që janë vetëshpallur “demokratë” prej gati një çerek shekulli. “Demokratët” votuan unanimisht që të mos ketë zgjedhje të tjera politike dhe Berisha të bëhej sërish president.
Alia ua solli studentëve përgjigjen e lejimit të pluralizmit dhe i mësoi se duhej ta bënin kërkesën për aprovim në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo ishte, në vija të përgjithshme, “epopeja” e Lëvizjes së Dhjetorit 1990. Ndërkohë, u krijuan edhe disa parti të tjera si ajo Republikane, Socialdemokrate dhe ajo e Gjelbër. Partitë e krijuara iu shtuan disa organizatave jopolitike që Alia i kishte llogaritur si subjekte elektorale për zgjedhjet e ardhshme politike.
Një i njohuri im, që ka mbajtur një post të rëndësishëm në Sigurimin e Shtetit në atë kohë, më ka treguar pas vitit 1990 se në shtator 1990 Sigurimi i Shtetit përpiloi dhe i dërgoi Ramiz Alisë një informacion të gjatë dhe të detajuar mbi disa përgatitje që po bëheshin në Qytetin Studenti për revolta kundër qeverisë. Informacioni, i firmosur nga ministri H.Isai, u kthye pas një jave në MPB me firmën dhe shënimin e Ramiz Alisë, ku thuhej: “Shoku Hekuran! Mendoj se Sigurimi i Shtetit ka probleme më të rëndësishme për të ndjekur. Nuk na vjen e keqja nga studentët”.
Tre vjet më parë, i ftuar në emisionin Deja Vue të gazetarit M.Nano, ish-kolegu i Sali Berishës, Prof. Dr. Sabit Brokaj tha se “Nëndrejtori i Sigurimit të Shtetit më ka treguar aty nga viti 1993 se, fillimisht ishte planifikuar që të organizohej një protestë sapo R.Alia të zbriste në Rinas pas vizitës në OKB, por, pastaj u hoq dorë dhe u mendua si më i efektshëm një organizim i studentëve të Tiranës për të bërë të mundur ndryshimet.”
Të gjitha demonstrimet e para antikomuniste pas lejimit të pluralizmit u zhvilluan në qytetet kryesore duke mbajtur lart fotografitë e Ramiz Alisë, por, pas pak kohësh, u duk se po zbulohej skenari dhe demonstruesit filluan thirrjet edhe kundër tij.
Sapo u krijua PD dhe partitë e tjera, shteti iu dha fondet për krijimin e gazetave të tyre, iu dha akses në RTVSH, iu dha makina dhe truproje për drejtuesit e tyre. Merret me mend çfarë “betejash” janë zhvilluar pas kësaj. Në të vërtetë, në datën 12 dhjetor 1990 (siç e thotë edhe Preç Zogaj, njëri nga themeluesit e PD) përfundoi “beteja” për ndryshimin e sistemit dhe çdo aktivitet politik i zhvilluar pas kësaj date ka të bëjë thjesht me luftën për pushtet.
Në 20 shkurt 1991 një grumbullim njerëzish, që zuri fill tek Qyteti Studenti, mbërriti në qendër të Tiranës dhe, pasi policia zhvilloi “një mësim tregues”, arriti të rrëzonte shtatoren e Hoxhës dhe ta tërhiqte atë me një makinë “IFA” shtetërore. Ndërkohë, një helikopter qeveritar patrullonte mbi shesh për të verifikuar nëse “aksioni përfundoi me sukses” apo jo dhe për t’i raportuar Presidentit Alia mbi këtë fakt. Askush nuk humbi jetën në këtë “betejë”.
Në një intervistë të dhënë vjet, Skënder Gjinushi, në atë kohë Ministër Arsimi, thotë se “Një ditë para rrëzimit të shtatores së Hoxhës ndodhesha në zyrën e Ramiz Alisë. Aty ndodheshin edhe S.Berisha dhe Azem Hajdari. Ky i fundit, duke drejtuar gishtin nga një bust i vogël i Hoxhës, që ndodhej në tavolinë, i tha Alisë se “…këtë do ta hedhim nesër….”. Të gjithë vumë buzën në gaz…”. Interesante, apo jo ?
*****