10.5 C
Tirana

HEC-et në Valbonë, Lu dhe Vlahutin letër Ramës për të pezulluar punimet

VENDI

“Me një letër drejtuar kryeministrit Edi Rama, ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin i kërkojnë kreut të ekzekutivit pezullimin e punimeve për HEC-et në luginën e Valbonës.
Në kërkesë parashtrohen qartazi konkluzionet shkencore të ndikimit negativ, që me florën e faunën e rrezikuar, cënimin e biodiversitetit,
shkeljet ligjore nê dhënien e lejeve mjedisore deri në minimin e perspektivës së bumit turistik që Valbona ka njohur vitet e fundit.
Kjo klasë politike ka dy dekada që legjitimitetin parësor e kërkon nga ndërkombëtarët, edhe para atij të vetë sovranit që e mandaton me votë.
Ja ku e kanë verdiktin e mentorëve të frymëmarrjes së tyre politike. Edhe aty sanksionohet dhunimi i asetit më të çmuar të turizmit malor shqiptar.
Letra vjen vetëm dy ditë pas debateve të ashpra mes komunitetit të Tropojës dhe përfaqësuesve të firmës Gener 2 (ndërtuese e HEC-eve) në një dëgjesë publike në qytetin e Bajram Currit, dëgjesë në të cilën ishte i pranishëm edhe vetë ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu.
Skema është e qartë: Nëse kryeministri nuk reflekton kundrejt gjithë paligjshmërisë së derdhur si barbari mbi Valbonën, ai merr hisen e tij në tepsinë e bashkëfajësisë së vrasjes së luginës më të bukur në hapësirën shqiptare, bashkë me paraardhësin e tij”, shkruan Besmir Lushaj.
….
Letra e ambasadorëve drejtuar Ramës:
“Shqipëria ka marrë hapa pozitivë në vitet e shkuara përfshirë dhe zgjerimin e rëndësishëm e territorit të mbrojtur.
Por ky progres është duke u minuar, nga zhvillimi i infrastrukturës në zonat e mbrojtura.
Duke vlerësuar deklaratat tuaj të mëparshme, që keni ndaluar disa nga këto ndërtime, ka disa shqetësime thelbësore që bien ndesh me ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, veçanërisht në Luginën e Valbonës.
Një Fondacion Botëror i Ujërave të Zeza financoi studimin (bazuar në Udhëzimin e Komisionit Evropian për Rishikimin e Pasqyrave të Ndikimit në Mjedis), i cili zbuloi se ka mangësi serioze me vlerësimet e ndikimit që kanë në mjedis ndërtimet e Hec-eve.
Sipas këtij studimi nuk janë plotësuar standardet profesionale, ndërsa nuk përfshiheshin në vlerësim të gjitha zonat e ndikimit si: përshkrimi i habitateve, faunës dhe florës ishin të pamjaftueshme; efektet mbi hidrologjinë dhe ujin, pra asnjë mënyrë për të monitoruar ndikimin e vazhdueshëm.
Bazuar në këto VNM, është parë e udhës që lejet nuk duhet të lëshoheshin.
Sa i përket dimensionit ligjor, sfidat ligjore për ndërtimin në luginën Valbona janë duke u zhvilluar.
OJQ shqiptare dhe ndërkombëtare kanë argumentuar se kushtet për dhënien e lejet përkatëse nuk janë plotësuar.
Për shembull, vlerësimet e ndikimit në mjedis nuk kanë përfshirë të gjithë aktorët, duke përfshirë këtu edhe pushtetin vendor si dhe komunitetin.
Hidrocentralet kanë provuar se janë një burim i vlefshëm i energjisë së rinovueshme për Shqipërinë, por ndërtimi i tyre duhet të ndjekë legjislacionin e duhur (shqiptar dhe europian),
si dhe duhet që të respektohet legjislatura europiane për menazhimin e ujërave.
Rasti i Valbonës është një nga rastet kur duhet të shqetësoheni për efektin e kontrollit institucional dhe qeverisë mbi projektet ekonomike private që kanë një impakt të rëndësishëm në mjedis.
Ne gjithashtu mendojmë se potenciali për zhvillimin e burimeve alternative të energjisë së rinovueshme në Shqipëri, mund të përdoret më mirë, duke zvogëluar kështu shfrytëzimin e lumenjve në dëm të mjedisit, duke mbrojtur natyrën.
Ne ju inkurajojmë që të siguroheni se ndërtimet e hidrocentraleve nuk përputhen vetëm me atë që është e përshkruar në legjislacionin shqiptar, por edhe me normat dhe standardet e BE.
Prandaj ne e rekomandojmë që ju të pezulloni të gjitha ndërtimet përkatëse në pritje të vlerësimit të duhur dhe shqyrtimit ligjor të procesit përmes sistemit administrativ dhe gjyqësor shqiptar”, thuhet në letrën e drejtuar kryeministrit Rama.
*Letra mban datën 3 maj 2017, kohë kur leja për ndërtimet në Valbonë ishte dhënë dhe bëhet për herë të parë publike sot. Pavarësisht kërkesës së ambasadorëve, ndërtimi në
Valbonë ka vijuar. Ndërkohë që çështja është rikthyer në vëmendje pas konflikteve të fundit në zonë. (Faxweb.al)

- Advertisement -

TE FUNDIT