8.5 C
Tirana

Egërsohen besnikët e Berishës, ultimatum Bashës: Nuk duam më shëtitje, sonte të rrëzojmë Ramën, ose dil protesto ti me familjen

VENDI

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe njerëzit e tij në Partinë Demokratike duket se po bëjnë ç’është e mundur për të shtyrë vendin drejt destabilitetit. Djegia e mandateve dhe sulmet me bomba molotov ndaj institucioneve, janë skenar i Berishës dhe po ashtu pas sulmeve ndaj KZAZ-vë fshihen pikërisht njerëzit e tij.

 

Por duke qenë se kreu i PD, Lulzim Basha ka filluar të distancohet nga dhuna, pas presionit të ndërkombëtarëve, ish-kryeministri është vënë sërish në lëvizje. Gazeta ka mësuar se ditët e fundit ndaj Bashës janë rritur ndjeshëm si nga ana e ish-kryeministri Berisha, ashtu edhe nga njerëzit e tij në bazë por edhe ish-deputetët pranë tij. Sipas informacioneve, Berisha dhe njerëzit e tij besnikë, kanë kërkuar nga Basha që në këtë protestë duhet me patjetër të ketë kaos, ndërsa i kanë vënë si kusht rrëzimin e Ramës.

 

Në këtë kontekst, mësohet se ish-kryeministri e ka argumentuar kërkesën e tij me faktin se opozita ka protestuar disa herë, por Rama sipas tij, as ka ndërmend që të reflektojë dhe të pranojë kërkesat e opozitës. Kështu që sipas tij, e vetmja rrugë për rrëzimin e qeverisë janë revoltat dhe jo protestat e qeta, sikundër i ka bërë Basha gjatë këtyre javëve.

 

Po ashtu, burimet saktësuan se Berisha dhe njerëzit e tij, siç janë ata në bazë por edhe ish-deputetët, kanë qenë të prerë në kërkesat e tyre, duke e quajtur këtë protestë si vendimtare dhe jo shëtitje sikundër është bërë në tetë tubimet e tjerë. Mësohet se ish-kryeministri dhe njerëzit e tij kanë kërkuar rrëzimin e Ramës, pasi në të kundërt nuk kanë për të dalë më në protesta.

 

Madje, mësohet se besnikët e Berishës janë shprehur se po nuk ra Rama në 21 qershor, nuk ka për të rënë më. Ndërkohë, gazeta mësoi se për t’ia arritur qëllimit, Berisha dhe besnikët e tij në bazë do të përdorin si alibi për të shkaktuar dhunë në protestën e sotme, përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, pretendimet e Partisë Demokratike se Bashës i rrezikohet jeta si dhe dekretin e Presidentit Ilir Meta për të ç’dekretuar zgjedhjet. Ndërkohë që, nga ana tjetër mësohet se Basha ka kërkuar që të ketë sa më shumë pjesëmarrje në protestë, për t’i treguar Ramës se është shumicë. Megjithatë, mbetet për tu parë sot se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

 

Policia përgatitet për skenarë dhunë

Protesta e opozitës, e cila pritet të mbahet sot në orën 20:00 para Kryeministrisë, ka vënë në lëvizje edhe Policinë e Shtetit. Kjo e fundit ka hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e protestës dhe izolimin e elementëve kriminalë, që pritet të shkaktojnë dhunë gjatë këtij tubimi. Sipas informacioneve, në gatishmëri gjatë protestës pritet të angazhohen më shumë forca policie se herët e tjera.

 

Po ashtu, mësohet se perimetri i sheshit përreth Kryeministrisë, por edhe Parlamentit do rrethohet me kordon hekuri, ndërsa pjesa e pedonales do të bllokohet me kordon me skela, me qëllim bllokimin e militantëve të opozitës, në mënyrë që të mos tentojnë të mësyjnë brenda godinave qeveritare.

 

Nga ana tjetër, sipas informacioneve policia pritet që t’i veshë dyert e Kryeministrisë me llamarinë, në mënyrë që protestuesit e dhunshëm ta kenë më të vështirë për të hyrë brenda godinës qeveritare. Ndërkohë që, mësohet se shtyllat rreth e rrotull institucioneve shtetërore janë lyer me graso, në mënyrë që ekspertët e kriminalistikës ta kenë më të lehtë identifikimin e personave të dhunshëm, kjo edhe për faktin se në sheshet ku protestohet ka shumë kamera të instaluara.

 

Në monitorim dhjetra persona me rekorde kriminale

Përveç masave të marrë për mbarëvajtjen e protestës sikundër është marrja në mbrojte e institucioneve shtetërore, mësohet se Policia e Shtetit, Njësia Anti-terror dhe Shërbimi Informativ Shtetëror ka marrë masat duke vënë prej disa ditësh në monitorim dhjetra persona me rekorde kriminale. Këto masa shtesë, sipas informacioneve, janë marrë nga institucionet ligjzbatuese të vendit prej disa ditësh, me qëllimi mbajtjen nën kontroll të personave me rekorde kriminale, të cilët pritet të marrin pjesë sot në këtë tubim për të ushtruar akte dhune. Madje, sipas informacioneve të policisë, këta individë të dënuar për vepra penale janë përgatitur për të qenë pjesë e akteve të dhunshme në tubimin e thirrur nga opozita. Kështu që për të parandaluar këto skenarë, ata janë vënë në monitorim të rreptë. /Rigels Seliman

- Advertisement -

TE FUNDIT