Dy aktorët e Portokallisë i rikthejnë buzëqeshjen 2 vogëlushëve nga Bubqi.

Një ndër shumë familjet e prekura nga termeti ishte dhe ajo e Arjanit nga fshati Bubq shtëpia e të cilit ishte shpallur e pabanueshme për shkak të dëmeve të mëdha.

Në studio Arjani u shpreh se familjes së tij i ishin dashur mbi 40 vite për të ndërtuar shtëpinë dhe se prej dy muajsh ata jetojnë në çadër.

Kjo ngjarje nuk la pa prekur as zemrat e dy djemve të tij të vegjël të cilët tashmë duhet të mësohen me një realitet të ri.

Për këtë arsye babai i tyre Arjani kishte zgjedhur programin Dua të të bëj të lumtur për ti shprehur dashurinë dhe për ti larguar nga kujtesa momentet e vështira që kishin përjetuar atë natë.

Fabjo dhe Alehandro babi ju do shumë dhe do jua dua gjithmonë. Jam krenar që jam babai juaj dhe ju premtoj që çdo dëshirë e juaja do të bëhet realitet prandaj duke filluar që sot nuk do të mungojnë surprizat ishte mesazhi i Arjanit për dy djemtë.

Për të ndihmuar Arjanin që të realizonte këtë surprizë të ftuar ishin dy aktorët e Portokallisë Florian Binaj dhe Irgen Çela të preferuarit e Fabios dhe Alehandros.

Programi kishte rezervuar surpriza dhe plot dhurata për vogëlushët por surpriza që i lumturoi më shumë ata ishte hyrja në studio e dy aktorëve në rolin e policëve.