18.5 C
Tirana

Dokumentet e panjohura për Fishtën/ Protesta e trazirat në Bosnje kur ishte student

VENDI

Fatmira Nikolli – Vlerësimi jo i shkëlqyer i Fishtës në sjellje është i lidhur me pjesëmarrjen e tij në ‘protestën’ pa shembull, organizuar nga studentët shqiptarë të Fakultetit të Teologjisë të Livnos (dërguar aty me ndihmë të Austro-Hungarisë), kundër lektorit P. Agostino Èengiæ. Viti 1891 duket se ka qenë një vit vendimtar në formimin e fratit të ri.
Gjendur në minorancë, bashkë me shqiptarët e tjerë, ai tregohet i ndjeshëm ndaj reagimit më të vogël të etërve lektorë në fakultet, që sipas letrave rezulton të ketë qenë ‘diskriminues’, në krahasim me qëndrimin që mbahej ndaj klerit vendas. Në një letër që daton 20 shtator 1891, shkruar në italisht nga vetë Fishta – siç e dëshmon kaligrafia – dhe e firmosur nga gjashtë studentë të tjerë shqiptarë, drejtuar Provincialit të Urdhrit, Fishta dhe shokët e tij do të deklarojnë se do të pranonin më mirë të kalonin në “laicitet”, sesa të njihnin si “mësues” lektorin A. Cengic, i cili, sipas tyre, thellon hendekun mes grupit shqiptar dhe atij boshnjak”.
Botimi “Hulumtime mbi veprën e Át Gjergj Fishtës” i studiueses së njohur, Blerina Suta, hedh dritë mbi rininë e fratit, ndërsa ai ndiqte studimet për t’u bërë prift.
Ende i ri, teksa ishte student, njohu diskriminimin ndaj shqiptarëve, për çka studiuesja Suta, lë të kuptohet se qe fillesa e antisllavizmit të tij.
Ky botim i Sutës vjen pas atyre me tituj “Eposi i Át Gjergj Fishtës” si dhe libri “Faqe të panjohura të vepra e Pjetër Budit”.
Me thellimin e hulumtimeve të saj, për sa i takon kohës së Fishtës student, autorja rrëfen me detaje edhe trazirat që ndodhën në kuvendin e Livnos kur një grup i studentëve boshnjakë hoqën dhe fshehën portretin e Skënderbeut.
Madje, Suta shënon edhe këndvështrimin për ‘Lahutën’ në tri kohë. “Mendimet mbi ‘Lahutën’ do të ndërtoheshin në funksion të idesë kombëtare, që kjo vepër ka rrezatuar në faza të ndryshme të jetës së kombit: në fazën kur u shkrua dhe u realizua botimi përfundimtar i veprës – fazë kur shteti i parë shqiptar kishte mbushur një çerek shekulli – ‘Lahuta’ plotësohet si vepër nën titullin ‘epope kombëtare’; në fazën e komunizmit – kur vepra u ndalua pikërisht për shkak të vlerës nacionaliste antisllave – u mësua përmendësh dhe u transmetua nga një brez malësorësh tek tjetri; në fazën aktuale – ndoshta për të njëjtat shkaqe ideologjike që e ndaluan përgjatë komunizmit – ky epos po merr gjithnjë e më shumë ngarkesë nacionale, duke dëmtuar në mënyrë arbitrare vlerat e vërteta të shenjës letrare”.
Vetë poema përbëhet prej 15 613 vargjesh tetërrokësh (me theks kryesisht mbi rrokjen e 3-të dhe të 7-të, siç e do tradita shqiptare e vargut), të organizuara në 30 këngë. Pjesa më e madhe e këngëve do të botohej veçmas, në variante të përpunuara shpesh prej autorit, deri në formën përfundimtare. Me gjithë ripunimet për t’i siguruar homogjenitet dhe vazhdimësi “blloqeve narrative” të konceptuara fillimisht si të veçanta, struktura përfundimtare e poemës nuk paraqet një strukturë të njësuar.
Për sa më lart, përveçse është një vepër arti – thotë E. Çabej – kjo vepër përbën dhe një dokument etnografik të jetës shqiptare.
Këtij qëllimi i përshtatet dhe forma e jashtme e poemës, stili burrëror dhe i fortë, gjuha therëse dhe larg çdo ëmbëlsie të tepruar. “Grumbullin epik të poemit, – thoshte Çabej – e përbëjnë dinarikët e vrazhdë të këtij vendi, nga mesi i të cilëve dalin dalëngadalë trimat kryesorë. Themelin shoqëror e formon fisi me jetën e përditshme të tij, siç na shfaqet te ‘Kanuni’ i Lek Dukagjinit mbledhur prej të ndjerit Atë Shtjefën Gjeçovit”. Për G. Valentinin vlera e poemës “është e barabartë me çdo dokument zyrtar apo me më të mirin studim shkencor për jetën dhe traditën filozofike, sociale, juridike, politike të popullit shqiptar; ndoshta edhe më mirë, pasi nga fillesa fishtiane përftohet hermeneutika më e mirë e dokumenteve dhe sugjestioni estetiko-moral, që u jep jetë dhe jehonë traditave”.
Suta shkruan se Fishta krenohej se kish qenë pikërisht ai, i vetmi poet katolik evropian, që kishte krijuar një poemë kombëtare, në të cilën edhe myslimanët e shihnin veten të pasqyruar në imazhin e një identiteti të përbashkët shqiptar.
Në intervistën e saj për “GSH”, ajo tregon më shumë për ‘hulumtimet’ e saja.
– Nga censura gjatë regjimit komunist, çfarë humbi Fishta dhe shqiptarët?
Mosleximi i ‘Lahutës’ gjatë regjimit komunist shkaktoi një dëm të dyfishtë në brezat e lexuesve të shkolluar gjatë komunizmit: nga njëra anë e largoi atë nga lënda historike dhe funksioni farkëtues i ndërgjegjes historike për të cilën kjo vepër që krijuar dhe nga ana tjetër e largoi nga lënda gjuhësore burimore, ajo popullore dhe e kultivuar (e traditës së shkruar shqipe dhe të huaj) formësuar në këtë vepër sipas modelit popullor të këngës epike gojore.

– A erdhi në fakt ‘rehabilitimi’ dhe ‘rimitizimi’ në epokën pas komunizmit?
“Rehabilitimi” nënkupton në fakt vlerësim sipas prizmit objektiv të fakteve që ofron teksti. Për shkak të mangësive të kritikës, e cila ka nevojë për shumë kohë që të rifitojë dhe korrigjojë pjesën e saj ideologjike, Fishta u rimitizua: ideologjia e kombit, e fjalës, e fesë, e veprës si strukturë, të marra vetëm në një rrafsh, pa pasur parasysh veprën si sistem, ngelen ideologji dhe autori kalon nga një mitizim te tjetri.
– Cili është raporti i saj me modelin epik (popullor dhe romantik) të sllavëve të Jugut?
Vepra e Fishtës, siç ka thënë Cabej, duhet studiuar në kontekst të romantizmit në Europën Juglindore. E fundit në kohë përkundrejt veprave epiko-romantike e popujve sllavo-jugorë, vepra e Fishtës lind në kohën e modernitetit dhe përdor modelin popullor të këngës epike për të dialoguar me këto vepra, të cilat ndërtojnë konfliktin epik me pushtuesin turk në kohën e krijimit të shteteve të tyre kombëtare.
Vlera moderne e veprës së Fishtës qëndron pikërisht në “leximin” e historisë së afërt të krijimit të shtetit kombëtar shqiptar në optikën e shqiptarëve, konflikti epik i të cilëve u shënua sidomos me sllavët të cilët i rrezikonin kufijtë.
– Ku janë pikëtakimet?
Raporti i Fishtës me autorët sllavë është përmendur shkarazi nga studiuesit e Fishtës.
Edhe kritikë si Stavro Skëndi, që e krahasojnë me Gunduliç, Kashiç etj., e bëjnë dukë hequr paralele, të cilat e largojnë në kohë veprën e Fishtës duke zbehur kontekstin dhe funksionin historik të saj.
Në 2007, “Onufri” botoi veprën time studimore “Eposi i Át Gjergj Fishtës përballë eposeve të shkrimtarëve romantikë sllavo-jugorë”, e cila analizon funksionin e kundërt që kryejnë në formën artistike të veprës së Fishtës të gjitha rrafshet e pikëtakimit me eposin romantik të sllavëve të jugut, i cili përfshin rrafshin e substancës së ideve deh të substancës së gjuhës.
Pra nga këndvështrimi i lëndës së përdorur Fishta dhe autorët sllavo-Jugorë si Njegosh, Mazhuraniq, Grga Martiq, janë homotipikë; nga këndvështrimi i funksionit që kjo lëndë kryen në vepër, Fishta përmbys modelin e të drejtës historike që qëndron në themel të idesë që formëson veprat e tyre dhe ndërton modelin e të drejtës natyrore, në themel të idesë që formëson “Lahutën”.
– Çfarë keni gjetur duke kërkuar Fishtën nëpër arkivat sllavë?
Në arkivat sllave gjendet pjesa e materialeve që kanë të bëjnë me shkollimin e Fishtës. Ishte folur përciptazi nga studiuesit, por një sistemim i të gjitha dëftesave dhe materialeve të tjera që kanë të bëjnë me interesat e Fishtës dhe formimin e tij, nuk ishte bërë ende. Për këto materiale u ndihmova nga urdhri Franceskan në Sarajevë.
– Pse Fishta nuk u vlerësua ‘shkëlqyer’ në shkollën e Bosnjës?
Në fakt Fishta kishte vlerësimin “Primo eminens”, i shkëlqyer, thuajse në të gjitha lëndët e formimit bazë. Vlerësimi aspak i shkëlqyer, apo problematik i tij gjendet në dëftesat që kanë të bëjnë me sjelljen.
Fishta kishte një karakter rebel dhe ishte mjaft i ndjeshëm ndaj çdo diskriminimi që grupi i studentëve shqiptarë mund të ndjente në ambientin sllav.
Një ngjarje që është zbardhur në detaje në libër është ajo e trazirave që ndodhën në kuvendin e Livnos, kur një grup i studentëve boshnjakë hoqën dhe fshehën portretin e Skënderbeut, që studentët shqiptarë e kishin vendosur përballë derës së muzeut. Në këto ngjarje, duket se Fishta ka pasur rolin e drejtuesit dhe nxitësit kryesor të frymës kundërshtuese.
– Cili është mendimi kritik për raportin e Fishtës me autorët sllavo-jugorë?
Përveç raportit të veprës epike të Fishtës me autorët sllavo-jugorë të eposit, të prekur më lart, kjo vepër e fundit trajton raportin e Fishtës me autorin më të rëndësishëm lirik kroat Kranjçeviq. Fishta e njohu personalisht atë dhe ndikimi reciprok në poetikën dhe mendimin për artin është trajtuar shpesh prej biografëve të autorit kroat. Nuk është rastësi që poezinë e parë ia kushton atij në gjuhën e kulturës së përbashkët, italishten, me lëndën shprehëse të autorëve të dashur prej të dyve, nga Dante te Manzoni.
Përkthimi në gegnisht i kësaj poezie, bazuar në lëndën gjuhësore të përkthimeve të Fishtës, ka qenë përvojë kulturore më vetë, duke pasur parasysh atë mangësi njohjeje me mundësitë shprehëse të gegnishtes, që brezi im ka pasur gjatë studimeve universitare.
– Ju keni një kapitull “Fishta, dallimi nga ‘modeli’ fetar”, por cilat janë gjurmët mitologjisë biblike në veprën e tij?
Ky citim i përket një arsyetimi mbi veprën “Lahuta e Malcis”, e cila i largohet modelit fetar që ndërton eposin sllav. E drejta historike në eposin sllav të serbëve ndërtohet mbi identifikimin e fesë me kombin. Pushtimi turk ndërpreu për ta, qysh nga beteja e Fushëkosovës, mundësinë për të ndërtuar një komb të madh ortodoks. “Kalorësit e kombit” duke luftuar për fenë, luftojnë dhe për kombin. Fishta e ndërfut fenë në konceptin e të drejtës natyrore. Feja dhe kleriku kanë një pozicion të rëndësishëm të sanksionuar në kanun. Fishta nuk e prish këtë ekuilibër që ndërtohet mbi një parim më të thellë, atë të drejtës për të jetuar. Modeli poetik popullor që sendërton këtë ide është ai i Gjergj Elez Alisë, i cili çohet nga shtrati me nëntë plagë për të mbrojtur të drejtën natyrore (shtëpinë, gjënë e gjallë, nderin).
Por, Fishta është klerik me formim të thellë dhe të jashtëzakonshëm teologjik, siç dëshmojnë veprat lirike, ku ndjehet ndikimi i të dy Testamenteve.
Një nga figurat e Dhjatës së vjetër që bëhen objekt i analizës së dy teksteve poetike në libër, është ajo e Moisiut, i identifikueshëm me gjeniun poet, i cili ka për detyrë të emancipojë kombin nga errësira e padijes.
Ky katolicizëm i thellë, intimist e afron poetikën e Fishtës me poetikën e autorit më të rëndësishëm të romantizmit italian dhe krijuesit të poetikës së historisë, Alessandro Manzoni.

- Advertisement -

TE FUNDIT