10.5 C
Tirana

“Djepi i kulturës” sjell risi për turistët dhe vizitorët vendës

VENDI

SHKODER/ Shkodra është bërë qyteti i parë në vend, i cili do të ofrojë për turistët dhe banorët e saj suvenire që do të mbajnë vulë certifikimi.

Projekti është realizuar nga Bashkia Shkodër, i mbështetur nga ReLOad dhe që “shfaqjen e parë” e ka pasur në pedonalen e qytetit. “Shkodra Tourist Official Brand” synon të sjellë risi në prodhimin e suvenireve dhe kjo jo vetëm që do t’u falë kënaqësi turistëve, por do të ndihmojë dhe të rinjtë vendës.

Kryetarja e bashkisë, Voltana Ademi, e sheh këtë projekt si nxitës të turizmit, por dhe promovim për produktet artizanale vendëse.voltana ademi

Zonja Ademi, a mund të na thoni diçka më shumë për këtë projekt që ka nisur të marrë jetë në Shkodër?

Mbi 560 mijë turistë kanë vizituar në vitin 2017 qytetin e Shkodrës sipas INSTAT-it. Janë gati 35% më shumë vizitorë se vitin e shkuar e ky trend është gjithmonë në rritje të konfirmuar. Sot hapen ditaditës gjithnjë e më shumë hotele, restorante apo njësi mikpritëse, gjithnjë e më tepër panaire e aktivitete artizanale e promovuese të produkteve

vendëse, të prodhuara sipas një mënyre ekzistuese e tradicionale. Por, sikurse e rekomandojnë edhe mjeshtrit e marketingut botëror apo e vërtetojnë edhe trendët dhe shembujt e mirënjohur në mbarë botën, çdo territor turistik sot duhet të ketë edhe produktet përkatëse të suvenireve turistike, kjo pasi suveniret shprehin në mënyrë ideale lidhjet emocionale me një vend, ngjarje, kujtim, të cilin duam ta

mbajmë të paharrueshëm në memorien tonë. Studime të kryera kanë dëshmuar se motivet e udhëtimit dhe e të vizituarit si turist të një vendi lidhen ngushtë me blerjen e suvenireve dhe rëndësinë e tyre të perceptuar. Në situatën tonë, turistët që vijnë marrin produkte të quajtura suvenire, të cilat shpeshherë nuk janë fare as prodhim vendës apo u përkasin temave e motiveve mbarëshqiptare,

pra ka “fare pak Shkodër në to” apo të themi, nuk e përfaqësojnë siç duhet qytetin tonë. Pa dyshim që ka shumë produkte origjinale artizanale, por ato janë të prodhuara secila sipas zejit e mënyrës së artizanit që i krijon, kuptohet me një traditë vendëse, por që shpeshherë nuk e kanë peshën dhe identitetin e duhur sepse nuk ka një brand ku të mbështeten dhe të pasqyrojnë. Shkodra është cilësuar si djepi i kulturës dhe si e tillë duhet të ketë vëmendjen e duhur për t’u përfaqësuar me një imazh zyrtar,

ashtu sikurse ndodh me qytetet më të njohura në botë. Pikërisht, ky është dhe qëllimi kryesor i projektit tonë mbi turizmin në Shkodër “Shkodra Tourist Official Brand”. “Shkodra Tourist Official Brand” është një projekt absolutisht risi në shkallë vendi në krijimin, ideimin, realizimin e suvenireve nën imazhin zyrtar të linjës, e koordinuar e gjitha nga Bashkia Shkodër.

Konkretisht, cili është synimi që pritet të realizohet nga projekti “Shkodra Tourist Official Brand Shop?”

Përgatitja dhe realizimi i “Shkodra Tourist Official Brand Shop” si një pikë ekspozimi dhe shitjeje “Temporary & Contemporary”, apo siç e kemi quajtur ndryshe edhe “ConTemporary”, do të bëjë të mundur që të gjitha produktet jo vetëm të kenë imazhin zyrtar, por edhe pikën e shitjes ekskluzive, duke i kushtuar vëmendjen e duhur risisë unike të tyre.

Konkretisht, Shkodra do jetë i vetmi qytet në vend që do t’i ofrojë çdo vizitori të brendshëm apo të huaj e çdo qytetari të saj një brand dhe një produkt turistik unik dhe zyrtar të realizuar në qindra e mijëra mënyra e forma për t’i kthyer ato në “copëza”

apo merchandising të vlerësuara dhe kërkuara nga publiku. “Shkodra Tourist Official Brand” synon të krijojë një imazh unik, identifikues, risi totale në prodhimin e suvenireve, duke sjellë zhvillim të turizmit vendës, angazhim të artizanëve shkodranë, përfshirje të të rinjve të apasionuar pas dizajnit, duke e shndërruar këtë imazh në një brand të mirënjohur, i cili do të rinovohet vit pas viti

Duhet pranuar besoj edhe nga ju, që ky projekt është risi mbase për Shqipërinë, pasi në vende të tjera ka shumë vite që tashmë zhvillohet. Nga sa kuptojmë, ju e shikoni këtë projekt edhe si një mundësi të mirë të zhvillimit ekonomik, sepse ju i certifikoni me emrin e Shkodrës të gjitha këto produkte artizanale që prodhohen si suvenire.

“Shkodra Tourist Official Brand” sjell produkte cilësore për turizmin e si rrjedhim sjell mirëqenie, sjell punë, sjell më humë prodhim, sjell ide të reja, sjell më shumë angazhim, sjell përmirësim të produkteve ekzistuese, sjell spunto e kreativitet të ri, por mbi të gjitha sjell ide dhe produkte turistike Made in

SHKODRA. “Shkodra Tourist Official Brand” përfshin artizanatin, prodhimin modern dhe industrial shkodran. Artizanati interpreton me zejen e tij logon zyrtare të turizmit të Shkodrës, e sjell atë te ne dhe ka një përfitim ekonomik të garantuar. Prodhuesit industrialë furnizojnë me produktet e tyre, produkte që deri më tani kanë qenë të destinuara vetëm për transport, tani e tutje mund t’i kemi për të përfaqësuar ekselencën e fasonerisë, artin e Shkodrës.

Konkretisht, cilat janë efektet dhe përfituesit e mundshëm nga implementimi i këtij projekti nga Bashkia Shkodër?

Targetgrupet e synuara dhe përfituese të projektit janë: Banorët vendës dhe të rrethinave, të cilët duan të kenë një imazh të bukur, të freskët, unik, të koordinuar, pra edhe zyrtar të qytetit të tyre, burra dhe gra, prodhues e tregtarë vendës, të cilëve do t’u vijnë në ndihmë të rinj të talentuar në punime handmade.

Të rinj e të reja dizajner, industrial dizajners, poetë, shkrimtarë, artistë, mjeshtër inovatorë, fotografë apo arkitektë kryesisht shkodranë. Grupet në nevojë, të cilët do të punësohen. Turistët e huaj. Turizmi në Shkodër është gjithnjë e më shumë në rritje dhe është rritur konkretisht. Turistët shqiptarë dhe emigrantët shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë vendit, Europë, USA edhe më gjerë. Bashkia Shkodër dhe të gjitha institucionet zyrtare publike lokale, biznesi privat, OJF, organizata, hotele, resorte turistike, restorante etj..

Sot po flasim për atë që mund të konsiderohet si start i këtij projekti. A e mendoni afatgjatë dhe të suksesshëm në realizimin e objektivit fillestar të tij?

“Shkodra Tourist Official Brand” ka vetëm fillim dhe ashtu si infiniti i 100-vjetorit të Vllaznisë, do jetojë e do përmirësohet në kohë me këtë qytet të mrekullueshëm që është Shkodra.

Ky projekt që gjeti mbështetjen e plotë të Bashkisë Shkodër nuk ka asnjë lidhje politike, fetare apo preferenca të tjera, ai njeh dhe do vetëm një gjë: Shkodrën. Ai është krijuar për të lulëzuar dhe për t’u përmirësuar brez pas brezi. Ky është një projekt i destinuar për të jetuar në përjetësi, qytetar pas qytetari, brez pas brezi, kryetar pas kryetari, parti pas partie…sepse qëllimi i tij i vetëm është promovimi i Shkodrës dhe i asnjë interesi tjetër përtej saj.

Pse keni menduar ta startoni projektin “Shkodra Tourist Official Brand Shop” pikërisht nga pedonalja?

Pasi pedonalja është zemra artistike dhe qytetare e Shkodrës, të cilën pa dyshim ne si bashki dhe unë si kryetare e dua shumë. U konsultuam edhe me Urbanistikën dhe menduam që përtej këtij fakti, të zgjidhnim edhe një pozicion jo vetëm strategjik, por edhe me një impakt sa më të vogël në zënien e hapësirës publike. Po ta vini re me kujdes, ajo është e vendosur në vazhdimin e çadrave dhe lokaleve që janë në mes të pedonales dhe që frekuentohen ditë e natë. Pra,

është një vazhdim i natyrshëm i një situate ekzistuese, të cilën pa dyshim jemi të angazhuar gjithashtu ditë e natë për ta përmirësuar më tej. Mund ta kishim vendosur edhe në pika të tjera të pedonales, ku do zinim hapësira që sot përdoren për festivale, ekspozita, panaire e aktivitete nga më të ndryshmet. Pra, menduam vendin që do kishte impaktin më pozitiv.

Duket e veçantë edhe përzgjedhja e objektit të vendosur në pedonale, pse zgjodhët kontenierin?

Kontenieri është në trendet më të forta sot të kryeqyteteve europiane. Dhe ne sot sytë nga Europa i kemi, për më tepër është interpretuar që të jetë transparent me një impakt sa më të vogël, që nuk konkurron stilin e Idromenos. Është menduar që të jetë i përkohshëm, në mënyrë që të shëtisë e të promovojë sa më shumë pika të qytetit. Kështu që, u lutem gjithë bashkëqytetarëve të mi ta mirëkuptojnë e mbështesin duke e lexuar në këtë mënyrë. Jam mëse e bindur se shkodranët e vërtetë dhe dashamirësit e qytetit e kulturës së tyre do e mirëpresin “Shkodra Tourist Official Brand”, pasi ky projekt e kurorëzon Shkodrën si një mbretëreshë të bukurisë, të qytetarisë, të traditës, kulturës, artit, bujarisë, vllaznisë e mikpritjes, një element mëse i rëndësishëm ky i fundit kur flasim për turizëm e jo vetëm.

- Advertisement -

TE FUNDIT