18.5 C
Tirana

Dimri i Gjergj Kastriotit

VENDI

Nga Ndue Ukaj
Nata e 17 janarit 1468 ishte me hënë të plotë,
por në mëngjes moti u tërbua. Gratë e veshura
me të bardha nuk dëgjuan kambanat e kishave
dhe i kapi frika e madhe. Mbushën kovat më ujë dhe e pastruan trishtimin në prag të Kështjellës.
Murgjit lexuan liturgji në gjuhën Engjëllore.
Pastaj lidhën litarët për qielli dhe marshuan kodër n’kodër.
Atëherë u tha një meshë e gjatë për motin e lig dhe për hënën e tërbuar.
Për atë gjysmëhënën e plotë që prishte paqen qiellore.
Në kronikat e kohës u tha se deti qe i trazuar dhe anija
me një lajm mbretëror u fundos në epokën e territ.
Më 17 janar dielli perëndoi me herët se çdo herë,
dhe filluan të bien kambanat e mërzisë.
Trupat qiellorë braktisën hapësirën e tyre dhe vajtuan me arbnorët e shastisur.
Janari vazhdon t’ jetë i ftohtë dhe i turbullt si lumi i vërshuar.
Boshësi dhe angështi. Stuhi dhe kaos.
Unë kërkoj zbrazëtinë e varrit dhe shoh se vitet janë thërrmuar,
si jeta e një lule që e godet stuhia e natës së rrufeshme- e një moti të lig.
Me fasha i lidhi indet e dhimbjeve, por diçka ende kullon,
si patericat e një tregimi për rrugët pa udhëtarë-që asnjëherë nuk frymojnë lirshëm.
Është ftohtë, por unë hapëroj nëpër akullnaja. E kërkoj varrin e kryetrimit.
Dua të përkulem, të ndez një qiri dhe të bëj një lutje Engjëllore.
Por askund nuk është kryqi, as lulet, as qiriu.
Ka errësirë dhe zogori qenesh që të lebetitin trutë.
Buqetën me lule të bukura të mbledhura fushave
ku tringëllima e hapave të Kastriotit sillte liri, e mbaj në dorë.
E kujtoj Donikën dhe dasmën madhështore të historisë.
Pastaj shkrehem në vaj dhe rrëfehem për paudhësinë tonë;
për batakçinjtë e shumtë që kanë ngritë përmendore-
për Mojsi që s’i bren ndërgjegjja për asgjë.
Janari tret gjithçka dhe i vizaton sytë e vdekjes.
Unë kërkoj një vegim- një varg shpëtimi për turmat e çakorduar
që nuk i lënë maskat mënjanë në gostinë kushtuar vitit Tënd.
Si para 550 vjetësh, Arbnia prapë vajton.
Aty për shekuj nuk pati dasma mbretërore.
Nuk u shkrua për dashuri dhe nuk pati mbrëmje vallëzimi
me muzikë të zgjedhur nga operat Vivaldit.
Por opera, poezi, drama, piktura u bënë matanë Adriatikut,
sepse te ne moti i lig rrafshoi gjithçka dhe kumtet vinin me vonesë.
Kryetrim, Arbnia lëngon e shtrirë në shtratin e pikëllimit.
Ai ylli lajmëtar që e la si hajmali, pas të cilit ngarendën mbretër të lindjes dhe të perëndimit, sulmohet nga shumë rrufe.
Gardianët e errësirës vazhdojnë të luftojnë me fantazmën tënde.
Shkruajnë receta terri. Megjithatë, kryetrim shenjtëria jote është si dielli:
nxeh mbi të mirët dhe të këqijtë njësoj.
Ismail Kadare thotë zbrazëtia e varrit dëshmon shenjtëri.
Unë ulem dhe kundroj qiellin. Ai është si dikur.
Por Kështjella jote nuk është e njëjtë:
dritaret i ka të më vogla dhe dyert më të ngushta.
Buritë e luftës nuk bien, por fantazmat kukurisin dhe mbjellin trishtimi.

- Advertisement -

TE FUNDIT