Dhjetëra refugjatë gjenden nga polici brenda një kamioni

Policia në Maqedoninë e Veriut tha se ka gjetur 36 migrantë në një kamion, të cilët besohet se kanë hyrë në këtë vend ilegalisht nga Greqia.

Shoferi i kamionit u arrestua.
Policia tha të mërkurën se oficerët e kanë ndaluar kamionin pranë qytetit të Strumicës.

Sipas saj, migrantët në kamion përfshinin shtetas sirianë, afganë, pakistanezë, irakianë dhe të Kamerunit.

Ata u dërguan në një qendër për ndalimin e migrantëve në Gjevgjeli, përpara se të dëbohen për në Greqi, thanë autoritetet.

Migrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut shpesh i shfrytëzojnë vendet e Ballkanit si rrugë tranzit për të arritur në vende të Bashkimit Evropian.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka thënë ditë më parë se, gjatë vitit 2019, autoritetet kanë parandaluar rreth 20,000 tentime apo kalime ilegale të kufirit – shifër kjo më e lartë se në vitin paraprak, kur janë parandaluar rreth 15,000 kalime të tilla ilegale./R.E.L