Banorët shpëtojnë turistin zviceran që kishte rënë në humnerë

Një aventurë e hidhur për një turist zviceran në afërsi të Shkodrës, por që mund të kishte përfunduar në mënyrë tragjike pa ndihmën e banorëve të zonës që i erdhën në ndihmë.

Sipas burimeve të forcave të rendit, 64-vjecari zviceran ka humbur kontrollin e motoçikletës së tij në aksin Shkodër-Bregu i Lumit, pikërisht në lokalitetin Prekal, dhe si pasojë ka rënë në humnerë për rreth 120 metra mbi lumin Kir.

Fatmirësisht një banor i zonës kishte parë skenën, e ndodhur rreth orës 19:30, dhe njoftoi policinë.

Në ndihmë të turistit erdhën forcat e rendit por edhe shumë banorë të zonës, që arritën ta transportonin nga humnera në ambulancë.

Zvicerani, që ndodhet jashtë rrezikut për jetën, po merr trajtimin mjekësor në Spitalin Rajonal.