“Ata nuk kanë b***ë të zgjedhin, pyesin familjarët”, ja kush e ka zhgënjyer Panuccin

Trajneri i Kombëtares Panucci ka qenë i ashpër në lidhje me lojtarët që refuzojnë të luajnë për kombëtaren kuqezi. Më i zemëruar ai duket se ka qenë me Edon Zhegrovën, talentin e Genkut në Belgjikë, i cili me sa duket zgjodhi të shkonte te Kosova, ku i premtohet një aktivizim më i rregullt.
Bashkëbisedimi i plotë e Panuccit me gazetarët
Pse shmanget kapiteni Agolli për të dytë herë radhazi, çfarë po ndodh me atë?
Në shtator Agolli mbush 36 vjeç. Në momentin që fillojnë eliminatoret zyrtare ne do të mendojmë për zëvendësuesit. Kam folur me Agollin dhe i kam përcjellë faktin.
Duhet të jem shumë i qartë në atë që po ju përcjell: 36 vjeç kur fillojnë Eliminatoret dhe 38 vjeç kur luhen Eliminatoret. Është një profesionist shumë serioz. Do kisha dashur ta trajnoja Agollin kur ishte 28-vjeç.
Kush do të jetë kapiteni i ardhshëm?
Në ditën që u prezantova si trajner, ju thashë që ai që ka më shumë prezencë do të jetë Kapiten. Kapiteni i ekipit kombëtar është ai që do të ketë më shumë ndeshje. Llogaritë i bëni vetë kush do jetë kapiteni i ekipit Kombëtar për ndeshjen e të hënës.
Mendoni se do jetë ky grupi që do përgatisni eliminatoret?
Për lojtarët që do të zbresin në fushë, do të jenë ata që kanë më shumë ndeshje dhe duhet të prisni për të parë kush luan. Grupi është duke u formuar dhe besoj e keni kuptuar. Natyrisht që deri në qershor do të provoj lojtarë 26-28 vjeç, që do të jenë baza.
E kam vendosur pak a shumë, por do kemi edhe lojtarë të tjerë. Sadikun e njoh, por them se është problem, sepse po luan pak. Po punojmë fizikisht me të. Kemi në sulm Cikalleshin dhe Balajn, me karaktersitika të ndryshme me njëri-tjetrin. Kombëtarja është një mundësi më shumë dhe një stimul, pasi Aliji gjeti ekip nëpërmjet Kombëtares. Ai që nga janari luan vetëm 30% të ndeshjeve dhe është i mirë në zonë, prandaj duhej.
Abazaj dhe Gavazaj më pëlqejnë, sepse janë lojtarët e duhur për mënyrën tonë të të luajturit. Ata janë lojtarë shumë të mirë një kundër një. Luajnë shumë mirë, prandaj e meritonin një çmim. Duhet parë si do të luajnë me Kombëtaren. Kush luan mirë në kampionat, e grumbulloj. Nuk kam asnjë kompleks në këtë drejtim.
Ndërsa për Bujar Likën u shpreh: Nga fillimi i vitit është një lojtar i Grasshopersit. Kam grumbulluar shpesh Hysajn dhe Balliun dhe në rastin konkret vendosa të lë jashtë Balliun dhe të ftoj pikërisht Likën.
Do më pëlqente të kisha 50 lojtarë shumë të mirë. Sa më shumë lojtar të mirë të kem, do kem më pak mundësi për të gabuar. Ndryshe nga trajneri paraardhës, dua më shumë të fitoj se sa të kem lojë të bukur. Në fillim kishim më pak kualitet, më pas ftuam Qakën dhe Lilajn, ndërkohë që kemi edhe Ramadanin dhe Likën.
Si është marrëdhënia me Bushin?
Natyrisht është bashkëpunim i shkëlqyer me Bushin. Në fund të fundit duhet të jemi të lumtur që ka lojtarë për ekipin Kombëtar. Për Ramadanin ishte lajmëruar, por për Abazajn vendosa në fund. Dua të provoj lojtarë. Në Turqi vendosa që t’ia lë Bushit, Ramadanit, pavarësisht se ishte i grumbulluar me ne. Por tani kam obligime të tjera, pasi fillojnë eliminatoret e Europianët.
Në cilin repart ka nevojë Kombëtarja për rikuperim?
Natyrisht bazën e kemi krijuar. Si kundër e theksova, problem për momentin ngelet zëvendësuesin e Agollit. Më duhet të rriskoj për të gjetur zëvendësuesin e tij. Kemi disa lojtarë si Memolla, Lenjani, Aliji.
Lila luan pak, Sadiku luan pak, Latifi luan pak. Mavaraj luan pak apo edhe Cikalleshi. Kjo ishte arsye pse nuk bëmë 2 miqësore. Duhet të kemi shumë kohë për ti stërvitur.
Nuk është se duhet të gjej justifikime. Fakt është se do duhet të stërviten sa më shumë në klubet. Nëse iu referoheshim eliminatoreve luajnë të premte dhe të hënën.
E keni mbyllur gjithë ciklin e kërkimit të lojtarëve?
Shpresoj që jo. Shpresoj të thërras sërish lojtarët të rinj. Dikush nuk ka dashur të vijë në ekipin kombëtar. Veseli dhe Abrashi janë të dëmtuar. Unë nuk tërhiqem, jam i bindur që me këtë grup lojtarësh mund të bëjmë shumë mirë për të shkuar në Europian.
Cili do të jetë portieri titullar në Kombëtare?
E bukur të zgjedhësh kur janë në nivel të lartë. Natyrisht kam një idenë time. Do përpiqem ti japë mundësinë të dyve. Në atë sektor jam i qetë.
Cilët lojtarë ju kanë refuzuar?
Emra nuk mund të jepen. Rasti i Zhegrovës. Në fillim tha po, pastaj refuzoi tha jo. Nuk është e drejtë të përcjellim emra. Nëse mua më thonë jo, nuk vijnë më kurrë në Kombëtare.
A do ti shikojmë futbollistët që refuzuan Shqipërinë shumë shpejt në kombëtaret e tjera?
Ata nuk kanë bythë të bëjnë zgjedhje. Pyesin familjarët më pas vendosin. Nëse mua më thonë “jo”, ata nuk vijnë më në Kombëtare. Nuk më duhen lojtarë, të cilët nuk kanë bythë të luajnë.