15.5 C
Tirana

Administratori i Vllaznisë flet pas atentatit: S’kam konflikt me njeri, do të vijoj detyrën

VENDI

Administratori i Vllaznisë, Suad Lici foli për mediat pas atentatit që ju bë mëngjesin e kësaj të diele me eksploziv në makinën e tij. Në fjalën e tij, Lici mohoi të ketë konflikte me njeri, ndërsa kërkoi nga autoritetet që të zbardhet ngjarja e të kapen autorët.

“Nuk kam asnjë konflikt me asnjë njeri. Ndoshta me detyrën, nuk e di, le t’ia lëmë organeve kompetente. Unë nuk kam konflikte me asnjë njeri, jam njeri i lirë dhe do të vijoj që të jem njeri i lirë. Nuk kam pasur asnjë lloj problematike, kanë kërkuar njerëzit sqarime i kam sqaruar dhe kaq në lidhje me sportin. Se nuk kam asnjë problematikë tjetër.”

I pyetur nga gazetarët nëse ngjarja kishte lidhje me sportin, ai apeloi që kriminelët të qëndrojnë larg kësaj fushe. I prerë, Suad Lici shtoi se nuk do ta pengojë asgjë që të vijojë detyrën dhe jetën e tij.

“Do të vijoj që të bëj detyrën edhe sot do të jem në Durrës për ndeshjen në orën 17:00. Do të vijoj detyrën. Unë mendoj që pa folur organet nuk kemi pse i vendosim një etiketë. Nëse është në marrëdhënie me sportin, mendoj që njerëzit kriminelët duhet të rrinë larg sportit, ta lënë qytetin e Shkodrës të bëjë sportin, jetën e vet sportive, se ky qytet ka nevojë për shumë gjëra.”

Suad Licit ju vendos një sasi e dyshuar si tritol këtë të diel poshtë makinës së tij që ndodhej e parkuar pranë stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër. Eksplozivi është parë në kohë nga administratori i Vllaznisë dhe nuk ka plasur.

- Advertisement -

TE FUNDIT