16.5 C
Tirana

A ka “tragjizëm” fëmijëria e Zef Dedës?!

VENDI

Më lejoni t’ju paraqitem: Kam lindur më 27 korrik 1950 në lagjen Fushë-Firej, në Shkodër. Jam i biri i Pjetër Dedës. Për babën do të flas më vonë. E ka radhën gjyshi, Dedoka.

Dedoka ka pasur nje kafe në Gjuhadol. Ka qenë i njohur për kafenë që ka bërë. Në atë kafe mblidheshin, përveç klientëve të tjerë, edhe një grup që ishin të përditshëm e që në gene u vërshonte gjak artisti. Bënin humor, sepse edhe vetë Dedoka bënte humor, sepse nga natyra ishte i këndshëm dhe i binte dhe klarinetës, ndaj u bënte edhe muzikë..

Në Shkodër ka qenë zakon, dhe ky zakon nuk është shuar edhe sot. Të pyesin: “I kujt je? Po emri i gjyshit?” Dhe unë Zefi, njashtu si Zefi, krenohesha me Dedokën dhe me babën tim, Pjetrin.

Tani për babën Pjetër. Ishte artist. Bënte më tepër portrete, nuk përjashtohen edhe pejsazhet. Me siguri, dhe nuk gaboj po të them se, shumë shtëpi shkodrane kanë kujtime nga peneli i babës tim. Dikush ka një babë, dikush një nënë, ndonjë gjyshe, një tjetër hallë. Veprimtaria e tij lë gjurmë në kishin e Françeskanëve, në kishën e madhe, në shtëpinë e kulturës, në teatrin “Migjeni”. Eh, sa kujtime!.. E pamundur të numërohen…

Si nxënës në shkollën e Françeskanëve, rritet me halle e me njëmijë mundime. I ati vdes herët. Ndërsa unë isha 7 vjeç, kur më vdiq baba, Pjetri. Derdha lotë për të. Të gjithë e donin. Çuditërisht nuk kuptoja një gjë: çfarë kishte ndodhur në familjen tonë, të varfër ekonomikisht, tamam si në poemat migjeniane!? Shpesh në vetmi, sin ë refren, pyesja veten: “Cila qe pazotësia e prindërve të mi, apo prindërve të prindërve, që të gjithë na lanë tepër të mjeruar, të lodhur..?!” Do ta merrja vesh më vonë, kur të rritesha…

Por kishte njerëz që me buzëqeshjet, dashamirësinë e tyre, mundoheshin të më “zbusnin” varfërinë. E këta ishin artistët që e kishin respektuar babën tim, si: Zef Jubani, Tinka Kurti, Antoneta Fishta, Vitore Nino, Lec Prendi, Adem Kastrati, Hasan Smaja, Tano Banushi etj.

Nisën të më aktivizojnë…
Nis kështu rruga drejt skenës. Një trokitje e lehtë, e ndrojtur… dhe si një kujtim i afërt dhe i largët, gjurmët e babait, apo jo Zef?
*Siç duket panë tek Zefi pak shkathtësi, lëvizshmëri e mprehtësi. Edhe më tej. Një dritë në vazhdimësi të genit familjar. Edhe unë si gjyshi, si baba, nisa të “bëlbëzoj” humor…

Të rikthehemi te skena. Drama e parë është “Kunora e Nurijes”. Është viti 1957. Interpretoja rolin e një fëmije në një grup pak a shumë moshatarësh që në breg prisnin lundrat dhe mezi prisnin të pastronin rrjetat. Më pas “Bujtina e të varfërve”. Isha në rolin e më të voglit. Vëllain e kasha memec, kurse motrën të bukur, të rritur port ë verbër.

E interpretonte Roza Xhuxha. Më pas te “Shtatë shaljanët”. Kisha rolin e një xhuxhmaxhuxhi, më i afërti i Vezirit. i sillja jastëkun për t’u mbështetur, apo kur vinin miqtë i mbushja kamishin me duhan. Vërtet me trup isha i vogël, ndonëse në rol isha me mjekër e mustaqe. Shpesh dëgjoja nga publiku që thoshnin: “… e ku e paskan gjetur këtë xhuxh të vogël!? Qenka interesant si tip! … xhuxh, xhuxh por interpretoka bukur!”

Më lejoni një çast. Në teatër gjithnjë shkoja me dëshirën e fëmijës. Më pëlqente t’i shihja aktorët që hipnin në skenë, interpretonin…

Ëndrra për teatrin më bëhej edhe më e bukur! I afrohesha teatrit, sidomos të vjetrit… Më dukej se tek ajo dhomëz e vogël në krahun ë majtë, me siguri do të kishte dritë dhe do të dukej një fytyrë e dashur, e shtrenjtë për mua: Baba..! Por edhe një dritëz më e largët… me fytyrën e gjyshit të shtrenjtë, Dedokës… Dhe emocioni më shëtiste gjatë gjithë trupit… Teatri… dhe afrohesha ngadalë-ngadale… për të mos trazuar kënd. Po afrohesha… gjithnjë e më shumë drejt skenës.

E kujtoj… Si i vogël që isha, në një premierë më mori aktori Hasan Smaja. Ishte një numër prestixhatori. Bënte ca lëvizje të shpejta, më fuste në valixhe dhe më “zhdukte”.
Vizitat në teatër i shpeshtoja. E kisha ëndërr të bëhesha aktor i dramës., e pse jo dhe i kinematografisë, pavarësisht se nuk u “kujtua” të më thërriste kush.
E ke parë ti, duke u rritur e duke ndryshuar, duke “devijuar”…: lëvizshmëria, shkathtësia, tingujt muzikorë në shpirt, etj.

Detaje vlerësimi këto… E në fund: ky qenka një tip.
Tani edhe një kujtime. E thashë dhe pak më parë se kujtimet nuk mbarojnë… Isha nxënës në shkollën “& Nëntori” sot shkolla “Ismail Qemali”. Isha në klasën e pestë. Aktori i teatrit “Migjeni” Viktor Bruçeti, sapo ishte kthyer nga studimet që i kishte bërë në Rumani.

Kisha rolin kryesor në melodramën që do të vinte aktori i teatrit në shkollën tonë. Personazhi kryesor që do të interpretoja nga natyra dhe karakteri ishte njëlloj si unë. Në fund të melodramës, pendohesha. Nga sytë më dilnin lot. Dëgjoja nxënësit që thoshnin: Sa bukur luan Zefi!

Burimi: https://zanimalsise.com

- Advertisement -

TE FUNDIT