12.5 C
Tirana

100 mijë mjete të pasiguruara

VENDI

Në muajin qershor Policia Rrugore, Drejtoria e Shërbimit të Transportit në bashkëpunim dhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare do të nisin një aksion për të bllokuar qarkullimin e makinave të pasiguruara. Aksioni vjen në një moment kur shifra zyrtare e automjeteve të pasiguruara është në nivele shqetësuese në rreth 100 mijë të tilla.
Kreu i AMF Ervin Koci, tha se fillimisht janë evidentuar 6 mijë automjete që qarkullojnë pa siguracion, të cilat do të jenë në shënjestrën e policisë.
“Makinat e pasiguruara arrijnë në 19,5 % të totalit. Ne jemi në bashkëpunim dhe me Policinë e Shtetit si dhe me Drejtorinë e Transportit Rrugor dhe kemi evidentuar 6 mijë prej tyre. Në muajin qershor do të nisim aksion për bllokimin e tyre”- shprehet Koci.
Informaliteti në tregun e sigurimeve është edhe një nga shkaqet, që kompanitë zvarrisin kompensimin e qytetarëve, në raste aksidentesh.
Ky fakt ka bërë që të akumulohen borxhe të papaguara ndër vite nga Byroja e Sigurimeve, në shumën 1.7 miliard lekë, ndonëse kompanitë kanë nisur të paguajnë këto borxhe, tre prej tyre rezultojnë se nuk po e zbatojnë vendimin e AMF, por kjo e fundit nuk ka marrë masë për penalizmin e tyre.
Por kjo situatë për kreun e Komisionit duhet të marrë fund, pasi rëndon mbi konsumatorët.
Në tregun e sigurimeve operojnë 8 kompani. Por ndonëse tregu ndër vite ka shfaqur anomali të theksuara, askush nuk është penalizuar, ndërsa viktima janë vetëm konsumatorët.

- Advertisement -

TE FUNDIT